Çorapkat dhe 23 Psheretimat
Elona është pa dyshim një nga shkrimtaret më të shquara shqiptare të kohës. *Lugatka* jeton dhe punon prej vitesh në Athinë, ku jep dhe një kontribut të veçantë në jetën kulturore, letrare e artistike mes emigrantëve shqiptarë. Librat e shkrimtares korçare janë nderuar me çmime të ndryshme në Greqi, Shqipëri dhe deri në USA ku në 2020 u nderua me globin e artë. Më poshtë po japim një fragment nga krijimi i saj i fundit ” 23 psherëtimat”…
Ishim bërë si çorapet që shpesh humbasin gjatë larjeve në lavatriçe. Njëra priste tjetrën që të bëhej çift dhe kur çiftoseshim, fillonte sërish menopauza mendore. Asgjë nuk funksiononte siç duhej. Humbisnim mes hormonesh dhe neuronesh për të shijuar me entusiazmin e adoleshentëve, jetën. A thua se sapo kishim lindur ?! A thua se nuk do kishte nesër?! Elektricitetin që përcillnin trupat tanë, e mbartja edhe rrugëve të zhurmëta të qytetit, ku më duhej të të ndiqja hijen, poshtë hijeve që më ndiqnin mua, për të mos më parë diku, ajo, gruaja ime. Herën e fundit, nuk munda të ecja paralel me ty edhe pse shpirti im, lëngonte dhe ngulçonte poshtë bluzës që këtë herë nuk ma kishe zgjedhur ti, por ajo. Çdo mishtësi e imja të prekte belin, të hidhte mënjanë flokët për të të puthur gushën, duke hedhur në erë gjithë epshet mashkullore që lirshëm ishin rehatuar në tavolinat e lokaleve, para të cilëve kaloje dhe tërhiqje vëmendjen. Unë pas teje. Shkelja mbi shenjat që zhurmonin takat e tua dhe të flisja në telefon. Ecnim njëri përpara tjetrit si të panjohur. Tmerrësisht të dashuruar dhe të lënduar. Diçka kërkoje me ngulm. Ishte një nga ato fiksimet e tua të cilave u bëhesha shërbëtor, por që kurrë nuk më kalonte në mendje të shpikja dhe unë një të atillë. Fillimvjeshta nuk do kishte kuptim edhe këtë herë, pa tingujt e të ecurit tënd. Duhet të vish patjetër ti e para, që të vijnë shirat dhe dimri e unë të përcjell sërish, një ardhje tënden.Të mbaj zi për një ikje të njëllojtë tënden. Të vajtoj brenda meje dhe t’i kthehem sërish jetës sime, sikur të mos ketë ndodhur asgjë e veçantë. Ndërkohë që ajo që kërkoje, ishte diçka që nuk ma thoje dot. Të ndiqja rrugëve si tingujt e pianos kur kërkojnë ritmin për t’u bërë notë. Ndiqja dashurinë time duke lujatur teatrin e radhës. Si çdo vit tashmë. Kisha filluar ta mohoja ekzistencën tënde reale. Të humba për një moment. Më duhej të përshëndesja një femër të ardhur nga realiteti im, duke fshehur në të njëjtën kohë dhe frikën se mos të kishte parë ty , bota e saj. I flisja asaj ndërkohë që silueta jote po më zhdukej nga horizonti. As heshtjen nuk ta dëgjoja në telefon, me të cilin komunikonim për aq kohë sa luanim të panjohurit dhe ecnim në rrugët e qytetit, që nuk e di nëse do të të kërkoj më.Të gjeta brenda një ëmbëltoreje duke folur me shitësen. Veprimet e tua vazhdonin të më dukeshin enigmatike dhe unë vazhdoja të mos kuptoja pse nuk doje të ikje këtë herë, pa bërë dhe diçka të fundit. Hyra në ëmbëltore dhe të pashë duke paguar, ndërkohë që vazhdoje të flisje, të kërkoje diçka. Ti nuk pi cigare. Ty gjithmonë do të të mungojë një shkrepëse nga çanta jote e madhe me qindra gjëra të panevojshme femrash brenda.Ty të nevojitej një shkrepëse, për të ndezur qiririn e tortës mikroskopike, me të cilën , doje të më uroje ditëlindjen time. Sytë e mi ndeshën tëndit të mbytur dhe të dhënë shpirt në lot . Ditëlindja ime e kaluar para disa ditësh, ku si çdo bashkëshort ideal, e kisha festuar duke bërë dashuri me gruan time dhe duke të gënjyer ty, se nuk i kisha fikur qirinjtë e mi sivjet. E tek shikoja entusiazmin tënd të mëparshëm tek shuhej prej dhimbjes që nuk i besoje më gënjeshtrat e mia, të kapa për krahu, qetë dhe të thashë të dilnim. Bëmë përsëri të njëjtën rrugë kthimi, me të njëjtën nevojë fshehjeje të ekzistencës tënde, botës sime. Ti ishe po ajo dashuri, që ecje dhe ndoshta qaje. Ndoshta diçka urreje. Ndoshta të kishte zënë apatia dhe nuk ta ndiente më për asgjë. Ndërkohë që unë ndihesha një hiç, që rrija duarkryq dhe nuk të plotësoja dot më, as diçka kaq të thjeshtë. U ndesha përsëri me ata shikuesit e famshëm të rrugës që të përpinin ajrin, ndërkohë që dëshiroja të të kisha vetëm brenda mendjes sime. Një lokal i braktisur me karrige bosh dukej se të priste ty. Mua. U ule me kurriz nga rruga dhe unë në të djathtën tënde. Nxorre tortën mikroskopike, ndeze qiririn me çakmakun tim, kënduam të dy këngën tradicionale të ditëlindjes dhe pikërisht në atë moment, i kishim thënë lamtumirë përgjithmonë, asaj nevojës së madhe të dashurisë së madhe. Të kishte mbetur një lot në sy. Më kishte mbetur një peng. Nuk besoj se do e gjeja më çorapen time të bardhë prej pambuku…
@ 23 psherëtima (Elona Gjergo)
@ NewsIn.Al * Viki Jano*

