DOSJA “METAMORFOZA”/ GJKKO pranon gjykimin e shkurtuar për 6 të akuzuarit, Erzen Breçani dhe ish-efektivja gjykohen më vete
GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për 6 të pandehurit lidhur me dosjen “Metamorfoza”.
Gjykata e Posaçme pranoi gjykimin e shkurtuar për disa nga të akuzuarit e grupit të trafikut të drogës, i cili u godit në muajin nëntor të vitit 2023 nga SPAK: Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Besmir Murtati, Adrian Cenaj, Albert Prenga dhe Dedan Gjoni në këtë proces.
Trupa e gjykimit e përbërë nga Erjon Çela kryesues, Bib Ndreca dhe Ardit Mustafaj anëtarë, pranuan kërkesën e 6 të akuzuarve për t’u gjykuar me formën e procedurës së shkurtuar, nga e cila mund të përfitojnë ulje të dënimit në rast se shpallen fajtor për akuzat që janë ngritur nga Prokuroria e Posaçme.
Çështja u nda për ish zëvendës drejtorin e policisë së Tiranës, Erzen Breçanin dhe ish efektiven e policisë, Jonida Babameto. Të dy ata do të gjykohen me procedurë të zakonshme. Gjithashtu gjykata shpalli moskompetencën duke dërguar dosjen në ngarkim të Breçanit dhe Babametos në Gjykatën e Tiranës.
Erzen Breçani u shpreh në sallën e gjyqit se nuk mund të pranojë të gjykohet me provat e paraqitura nga SPAK.
“Unë dua të gjykohem me procedurën e zakonshme. E njoh shumë mirë hetimin dhe në dijeninë time, ky që është pas meje, Bujar Ajeti që e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe tek RENEA, në dijeninë time nuk ka qenë ky person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam arsyet e mia pse unë nuk e pranoj gjykimin e shkurtuar. Bujar Ajeti ka qenë i shoqëruar disa herë, ka kaluar kufirin me pasaportë. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përse të përkrah këtë kategori tani. Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur. Për akuzën e “pastrimit të parave”, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite, me disa biznese”, dëshmoi ai para GJKKO.
Prokurori Vladimir Mara u shpreh se Erzen Breçani ka përdorur një pin në aplikacionin “Sky Ecc” që më parë e ka përdorur bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani.
Ndërkohë, gjykata i ka ndarë nga ky proces personat e tjerë që ndodhen ende në kërkim që prej nëntorit të vitit 2023, mes tyre djali i Erzen Breçanit, Eralbi, Ervin Mata, Artan Sulejmani dhe Bajram Grabova.
Disa nga të pandehurit, kërkuan ndarjen e çështjes nga të tjerët, kërkesë e cila nuk u pranua nga GJKKO.
Ky grup i strukturuar kriminal akuzohet për “trafik ndërkombëtar droge” në disa episode, “sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, “nxjerrje e informacionit sekret”.
Hetimet për këtë dosje u mbyllën në 6 gusht të vitit 2024 nga prokurori Vladimir Mara.
@NewsIn.Al