SPAK kërkon 35 vite burg për organizatorin e atenatit ndaj Behar Sofisë (EMRI)
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë ditën e sotme pretencën për Jemin Sherën, ku kërkon dënimin e tij me 35 vite burgim. Ai akuzohet nga SPAK si organizatori i atenatit ndaj Behar Sofisë, i ekzekutuar më 25 shkurt të vitit 2021 në Tiranë. Ai vazhdon të jetë ende në arrati, teksa gjykimi i tij ka vijuar në mungesë.
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se Jemin Shera e ka marrë porosinë për të ekzekutuar Behar Sofinë dhe për ta realizuar vrasjen ka krijuar grupin kriminal.
5 anëtarët e tjerë të grupit kriminal janë dënuar më parë nga Gjykata e Posaçme me 127 vite burg në total. Më konkretisht; Bujar Leza, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Xhuljano Visha janë dënuar me nga 30 vite burg secili. Ndërsa bashkëpunëtori i drejtësisë, Ernejt Shytin është dënuar me 7 vite burg. Të njëjtat vite dënimi me burg kishte kërkuar edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) në pretencën e saj.
Sipas Shytit, miku i fëmijërisë, Xhuliano Visha i propozoi fillimisht vrasjen e Behar Sofias.
“Xhuliano Vishën e kam shok prej 5-6 vitesh. Rreth mesit të muajit janar 2021 Xhuliano më tha: ‘A mund të vrasësh një njeri se unë nuk mund ta bëj. Do të marrim 50 milionë lekë nëse e vrasim’. Ai më shpjegoi se nuk mund ta vriste vetë personin sepse e kishte parë roja që rrinte jashtë ETC-së. Unë i thashë nuk e di, por do të shkojmë të shikojmë vendin dhe personin që do të vrisja. Dy ditë më pas jam nisur me Xhulianon nga Kërraba dhe kemi parkuar makinën poshtë ‘Varrezave të Dëshmorëve’. Nga aty kemi lëvizur drejt ETC me dy patina të miat që unë i kisha në bagazhin e makinës. Kur kemi mbërritur te ETC kemi qëndruar ulur në stolat bri Lanës. Më pas kaluam mbrapa godinës së ETC, ku Xhuliano më tregoi se nga dilte personi që do vrisnin”.
@NewsIn.Al

