DY SKENARËT PËR BASHKINË E TIRANËS PAS ANKIMIMIT TË VELIAJ NË GJYKATËN KUSHTETUESE
Neni 115/2 i Kushtetutës parashikon se kur një kryetar bashkie shkarkohet nga qeveria, ai mund të ankimojë brenda 15 ditëve në Gjykatën Kushtetuese. Vetë ankimi pezullon automatikisht efektet e vendimit të shkarkimit, deri sa Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim përfundimtar.
Kjo do të thotë se, edhe pse qeveria e ka miratuar vendimin për shkarkim, ai nuk hyn në fuqi për sa kohë që Kushtetuesja nuk është shprehur. Gjatë kësaj periudhe Erion Veliaj mbetet formalisht kryetar bashkie, por nuk mund të ushtrojë detyrën për shkak të paraburgimit, ndërsa funksionet i kryen nënkryetari, sipas nenit 64 të ligjit për vetëqeverisjen vendore.
Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese ka dy mundësi. E para, të shfuqizojë vendimin e qeverisë nëse pranon argumentet e Veliajt. Në këtë rast Veliaj kthehet në detyrë si kryetar Bashkie edhe pse nuk i ushtron dot funksionet për shkak se ndodhet në burg, ndërsa zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen.
E dyta, Gjykata Kushtetuse lë ne fuqi shkarkimin dhe Këshilli i Ministrave dhe Presidenti shpallin zgjedhjet e parakohshme për Tiranën, duke respektuar afatet minimale ligjore, jo më pak se 45 ditë nga shpallja.
Qeveria nuk mund të vazhdojë procesin për zgjedhje të parakohshme derisa Kushtetuesja të marrë vendim, pasi nëse vendimi i qeverisë është pezulluar, juridikisht nuk ekziston një vend bosh në krye të Bashkisë Tiranë. Çdo veprim për shpalljen e zgjedhjeve në këtë fazë do të ishte i pavlefshëm dhe i kontestueshëm.
Vendimi i Erion Veliajt është sa juridik aq edhe politik. Juridikisht ai kërkon të shfrytëzojë çdo hapësirë ligjore për të mbrojtur “pafajësinë” e tij. Ndërsa politikisht ai po i tregon hapur Edi Ramës se nuk është dakord me të në vendimin e kryeministrit për ta shkarkuar si kryetar të Bashkisë së Tiranës. Ankimimi tregon në vetvete se mes Ramës dhe Veliajt nuk ka pasur komunikim, ose “negociatat” mes tyre nëpërmjet të tretëve kanë shkuar keq. E sigurt është që me shkarkimin Edi Ram tregoi se i ka “vënën vizën” Veliajt, ndërsa me ankimimin Veliaj po i tregon ish -shefit të tij se nuk të lërë asgjë pa bërë për të mbrojtur veten.
@NewsIn.Al
