Mirënjohës apo i robëruar?
Kohët e fundit më ndodh shpesh të dëgjoj reagime të ashpra ndaj atyre të rinjve që aderojnë në një parti të caktuar politike, të cilët rreshtohen kundër mendimeve apo vendimeve të ndonjë politikani. Deklaratat e zakonshme që dëgjon tu adresohen atyre janë “ai ose ajo po kafshon dorën e personit që e ushqeu”. Kjo mënyrë të logjikuari dhe të shprehuri është e dëmshme për shoqërinë e kohëve të sotme e sidomos për ata të rinj të cilët janë në hapat e parë drejt karrierës që synojnë.
Mendimi ndryshe nuk të bën kurrësesi një individ që kafshon dorën e atij që të ushqen. Por si ta kuptojmë fjalinë “ai që të ushqen”? Njeriu që të ushqen nuk është aspak ai që të jep një post të caktuar, apo të jep mundësinë të promovohesh në politikë e në çdo fushë tjetër të jetës. Njeriu që të ushqen gëzon respekt dhe të udhëzon të bashkëpunosh me të për të arritur rezultate frutdhënëse për të mirën e shoqërisë, vendit, të ardhmes. Njeriu që të ushqen të mëson sesi të ecësh me ndershmëri gjatë gjithë etapave të jetës, si të marrësh vendime të drejta dhe të dobishme në situata të ndryshme, të mëson të kesh dashuri për vendin tënd dhe të përpiqesh gjithmonë e më shumë të punosh konkretisht për të përmirësuar jetën e bashkëatdhetarëve të tu dhe Kombin tënd.
Jemi në vitin 2021 dhe ende mendimet ndryshe të të aftit konsiderohen kafshim i dorës që e ka “ushqyer”, a thua se suksesi i këtij të fundit i detyrohet ekskluzivisht dhe vetëm personit që i dha mundësinë të tregojë se sa vlen dhe çfarë aftësie zotëron. Suksesi nuk është borxh që ja u kemi të tjerëve por meritë që e fitojmë me përkushtim dhe shumë punë. Sigurisht në vendin tonë të aftët kanë nevojë për promovim dhe mbështetje sepse sistemi ynë i sotëm nxjerr më tepër në dritë të paaftët dhe lë në hije të aftët.
Çdo ditë e më shumë lukunia e të verbërve dhe e atyre që mendojnë se gjithçka kanë arritur në jetë deri tani e kanë arritur falë promotorit të tyre, sulmon edhe ata pak të aftë me integritet që na kanë mbetur. “Kurrë nuk do të arrish në destinacionin tënd nëse do të ndalosh për të gjuajtur me gurë ndaj çdo qeni që të leh” ka thënë Winston Churchill, por ndonjëherë është e pashmangshme të mos i gjuash me “gurë” këta lloj njerëzish që bërtasin papushim se i afti i detyrohet gjithmonë dikujt për aftësinë dhe sukseset individuale.
Patjetër që mirënjohja është shtylla thelbësore e një njeriu dinjitoz dhe me integritet, por mirënjohja duhet të mos shkojë kurrë deri në atë pikë sa të shndërrohet në robëri ndaj individit që i jemi mirënjohës. Demokracia e shëndetshme kërkon respektim të mendimeve ndryshe dhe jo luftë ndaj individit.
@NewsIn.Al