HomePe KorçeFamilja MANO, në themelet e qytetit të Korçës/Erget Cenolli

Familja MANO, në themelet e qytetit të Korçës/Erget Cenolli

Familja MANO, në themelet e qytetit të Korçës

Ndonëse kronikat flasin vonë, qyteti

i Korçës ka origjinë të hershme, që mendohet se daton në fillimet e mijëvjeçarit të parë pas Krishtit. Për herë të parë e gjejmë të përmendur tek Kujtimet e Muzakës, ku përmendet bashkë me Sovjanin në shekullin e 13-të, por disa mure dhe themele që ndodhen në Kodrën e zotit Kene, tregojnë se qyteti ka hershmëri më në thellësi të historisë Ilire. (shih “Memoriet” e Gjon Muzaës)
Vetë emri Kodras (nga i cili rrjedh emri Korçë), është një tregues hershmërie. Rrreth vitit 1973 në pjesën poshtë fabrikës së birrës, arkeologë nga Tirana gërmuan për rreth një javë dhe nxorrën fragmente të një “Banje Romake”, çka tregonte se aty ka pasur një përqëndrim të madh të ushtrisë romake. Gërmimet u mbyllën për t’u hapur në një kohë tjetër, gjë që nuk ndodhi.
Qyteti fillimisht ka qenë me dy epiqendra: Kalaja dhe Manastiri i Shën Mërisë. Manastiri fillonte aty ku sot është BKT (ish- Banka e Shtetit) dhe përfshinte gjithë pjesën ku sot ndodhet lulishtja, si edhe gjithë pjesën e ish-Trikotazhit. Kalaja, që ishte e tipit fushor, përfshinte pjesën ku sot ndodhet këmbësorja e qytetit ( për më tepër shih studimin e Arben Gjatës). Brenda kalasë ndodhej pazari dhe 33 familje nëpunësish qeveritarë, si targambledhës, xhandarë etj.
Jashtë kalasë ndodheshin pesë lagje të vogla që përfaqësonin pesë fise: MANO, MANÇO, MANDO, PENÇO dhe QIRJO. Këto familje asi kohe merreshin me tregti, pemëtari dhe bletëritje. Familja MANO ishte ajo që kishte në zotërim pjesën nga vendi që sot quhet “Çezma e Amzës” deri në pikëtakimin me fshatin Barç. Më pas vini rradhë lagjet e tjera. Për prejardhjen e mbiemrit unë mendoj se, vjen nga fjala MAN, pemë që gjendet me shumicë në këto anë ( kujtojmë përqëndrimet e sotme të kësaj peme në fshatrat Drenovë dhe Boboshticë). Nga pemët frutore kemi origjinën mbiemërore të disa fiseve të shquara themelore Ilire, siç është Dardan nga dardhë; Mollos (që më vonë u bënë Muzakaj), nga mollë etj.
Kjo ishte pak a shumë themeli i qytetit të Korçës, para ardhjes së Iliaz bej Mirahorit, me ardhjen e tij ndryshoi edhe struktura e qytetit, por kjo është një histori tjetër.

©Erget Cenolli

Shënim. Fotoja ilustruese tregon një fragment muri shumë të vjetër, gjetur dhe fotografuar prej autorit të këtij shkrimi.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments