Është e çuditshme se si i rikthen kujtesa e njeriut në çaste të caktuara, duke risjellë në mendje ngjarje të kaluara të cilave nuk i ka dhënë rëndësi më parë apo i ka anash kaluar pa interes. Afërsisht kështu ndodhi kur para meje kaloi një makinë e vogël ambulante mbushur me qershi të pjekura mirë.
Me një të kuqe të errët, të pjekura në maturim, më ngacmuan në subkoshiencën time atë ditë fund maji, kur kthehesha nga Tirana për në Athinë, në atë rrugëtim ku të pa priturat nuk munguan.
Kamioni me të cilin punoja gjarpëronte rrugëve tërë kthesa, gropat e shumta dhe të mëdha, që dukeshin si gojë të shqyera të një trupi të cfilitur gati për të coptuar gomat, e bënin udhëtimin edhe më të vështirë, si të donin të më pengonin të ikja në vendin fqinj. Mbas kthesave të lajthive, kështu i quaja unë sepse aty dilnin fëmijë të vegjël që shisnin lajthi, kalova edhe kthesat e naftës. I kisha pagëzuar kështu sepse puset e braktisura, përveç pellgjeve me naftë që kishin shkatërruar gjithë ambientin për rreth, e kishin tejngopur atmosferën aq shumë me erën e rëndë sa që as aroma e bredhit të sapo hapur në makinë nuk e normalizoi ambjentin.
Mbas tyre vinin kthesat e qershive. Fëmijë të vegjël të ofronin qershi në dy mënyra të ndryshme. Me kile, si tregëtoheshin edhe në treg, apo të thurura brenda një shkopi qershie të çarë në mes ku midis pjesëve thureshin qershitë dhe skajet ishin të lidhura me kërcej të hollë. Midis fëmijëve që ofronin qershitë, polici, që sapo kishte mbaruar së pastruari këpucët nga balta në kanalin anës rrugës, bëri shenjën e autostopit vendas. Ishte ngritje e dorës me pëllëmbën e stërmadhe ( e denjë për polic ) të hapur në drejtimin ku do të shkonte.
Duke menduar se prania e një uniforme blu në makinën time, pavarësisht kush ishte, do të ndikonte në kalimin më lehtë të postoblloqeve të më vonshëm. Ndalova duke e ftuar të hipte.
Hipi në kabinën e makinës duke falenderuar me kokë, pa thënë asnjë fjalë. Pyetjes sime – për ku jeni — ju përgjigj shkurt
– Memaliaj!
Shkonte të merrte shërbimin, kjo nuk donte shumë për tu kuptuar. Mënyra si u përgjigj më krijoi pershtypjen se donte ti jepte një rëndësi të veçantë vetvetes ndoshta për shkak të uniformës që vishte. Në fund të fundit edhe unë për shkak të uniformës ndalova kur ngriti dorën e stërmadhe. Mbas pak në njërën prej kthesave u duk një tjetër picirruk me qershi. Ishin të pjekura aq sa duhej me pamje ndjellëse, një frut me të vërtete biologjik. Në fakt për to kujdesej vetëm natyra, njerëzit vetëm i vilnin për ti shitur. Bleva dy kg për fëmijët në Athinë . Fytyra e policit ravijëzoi një bezdi për ndalesën në një moment që syri im e kapi vetëtimthi, por më pas ishte krejt indiferent.
Në doganat respektive ku do kaloja, shpresoja të mos vonohesha. Nuk kisha ngarkesë dhe e dija që nuk do të më bezdisnin pasi kontrollin e kisha kur vija i ngarkuar. Në çast më erdhi në mendje ideja që tu çoja si “dhuratë” policëve grekë, qershi nga vendi im, të thurura në një mënyrë që ata nuk e kishin parë, të thurura në thupra qershie. Ndërkohë në doganën e vendit tim, kënaqeshin vetëm me cash.
Në kthesat e mëpastajme shihje fëmijë të tjerë që shisnin qershi. Ula shpejtësinë për të ndaluar. Shprehja e bezdisë në fytyrën e policit tani ishte e dukshme dhe nuk u mundua ta fshehë. Pa i dhënë shumë rëndësi ndalova dhe bleva dy steka – thupra me qershi të thurura, nga dy fëmijë të ndryshëm. Ndërsa po nisesha ja behu një vocërrak që më ofronte qershitë e tij, nuk mund të mos merrja, mora edhe prej tij dhe ndërkohë vetëtimthi i hodha një shikim policit.
Vendin e bezdisë në fytyrën e tij e zuri një aht i dalë nga thellësia e dhimbjes si të donte të thoshte “tani s’kam ç’bëj më”. Nuk po e kuptoja nëse bezdia dhe ahti ishin për mua që ndalova apo ishte diçka krejt tjetër, jashtë marrëdhënies së heshtur që kishim krijuar në atë copë rrugë.
Mos je gjë vonë për shërbim? – e pyeta duke thyer heshtjen,edhe për të kuptuar se çfarë kishte.
Jo – mu përgjegj duke zëvendësuar ahtin me një nënqeshje gjysëm të hidhur gjysëm ironike.
Heshtja vazhdoi edhe për një copë rrugë. Vura re se murmuiste fjalë që nga zhurma e motorrit nuk mund ti dëgjoja por frazën e fundit e tha qartë.
– Ç’të mbjellësh do korrësh – Fraza e urtë popullore nuk po më jepte ndonjë lidhje mes meje, bezdisë së rishfaqur në fytyrën e tij, ahtit të fundit dhe realitetit të momentit.
Këto toka ku kaluam – filloi të rrëfehej – janë të miat.
Përsëri nuk nuk munda të bëja lidhjen mes meje dhe asaj që thoshte, por për të lejuar më tej rrëfimin bëra me kokë shenjën “bravo!”, pa thënë asnjë fjalë. Kjo e intrigoi më shumë dhe vazhdoi rrëfimin.
Në tokat e mia ka patur shumë qershi – vijoi ai.
Pra ju e keni punë të dytë këtë të policit – ju përgjegja dhe në çast interesimi im u rrit së tepërmi.
Jo,jo – shqiptoi shpejt – jam vetëm një polic i thjeshtë shërbimi.
Këto toka, vijoi, kishin qershitë më të mira të zonës këtu. Para se të priteshin ato ishin të askujt.
Vazhdoi një heshtje e gjatë që, në vend të më linte indiferent , më mbushi aq shumë sa për tu zbrazur, por edhe për ta ngushëlluar atë, vazhdova dialogun.
Nëse do të ishin të mijat dhe do të mi kishin prerë, për çfarë do lloj arsye, atë kriminel, atë kafshë pa tru që i preu, atë qënie që vetëm njeri nuk mund të jetë, nuk e di se çfarë do ti kisha bërë. E përse duheshin prerë gjithë këto qershi?! Sa mund të fitosh nga një dru i prerë?! Ky është vandalizëm. Edhe armikut nuk i bëhet një dëm i tillë. Sa duhet për ti ribërë ato nga e para ?
Ndalova së foluri. Mendja imagjinonte skenën e vrasjes. Vrastarin që me një sopatë shkurtonte jetë pemësh, përskuqjen e tokës nga lëngu i qershive që nuk do të çelnin më, klithjmën e trungut tek e këpusnin në mes, dhimbjen e degëve tek i shqyen nga trungu…
Dru – degjova përgjigjen e mendimeve të mia!
Më shumë se dru – u përgjigja automatikisht, ai njeri do më shumë se dru.
Për dru zjarri – vazhdoi ai
I shokuar nga përgjigja hezitova një çast.
Për dru zjarri?! Qershitë?! – reagova si për të kuptuar se nuk po tallej
Po kjo është tragjikomike – vazhdova – kjo është të qeshësh se nuk ulërin dot. Të paktën e di se kush ta bëri masakrën? – e pyeta.
Pasoi një heshtje e shkurtër. Më kërkoi të ndaloja në mes të rrugës pak kilometra para Memaliajt. Me një shikim vjedhurazi duke zbritur nga makina vuri gishtin tregues në tëmth dhe klithi mbyturazi.
Unë!!!
Mbylli derën e makinës me forcë dhe nuk e pashë më as nga pasqyra. Doja të zbrisja nga makina ti flisja … por ti thosha çfarë?!… Tani kuptoja fjalën e urtë “Ç’të mbjellësh do korrësh”!
Gjatë gjithë rrugës më rrihte si çekan fjala e tij e fundit, UNË !!!
Polici grek pyeti se kush e kishte këtë kamion.
Unë – ju përgjigjur automatikisht duke i zgjatur thuprën-stekë me qershitë e pjekura mirë dhe vazhdova rrugën drejt Athinës, nën freskinë fëshfëritëse të pemëve të harlisura.

