KreuAktualitetiFestivali i këngës shqiptare nga Gjergj Leka /Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti

Festivali i këngës shqiptare nga Gjergj Leka /Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti

Festivali i këngës shqiptare nga Gjergj Leka

E kam thënë edhe më pare, Gjergj Kostandin Leka New i dha bujarisht revansh-in e suburban këngës shqiptare në shumë drejtime. Nuk e kam fjalën vetëm për emisionin e tij të mrekullueshëm “Na ishte njëherë muzika” (që është ajo që themi: edhe nëse nuk ekzistonte një emission i tillë, do të duhej dikush ta shpikte) ku bie dritë mbi faqet e pluhurosura të muzikës shqiptare dhe zhvillohet një diskutim akademik nën dhjëtëra tinguj cilësorë, por e kam më shumë për festivalin që ai mban “me forcat e tija” këto katër vitet e fundit.

Dje pata fatin të përjetoja një eksperiencë unike në teatrin veror antik të Flumen park Tiranë , ku hapi siparin nata finale e festivalit “Festa e këngës Shqiptare “duke mbajtur gjallë interesin tim për rreth pesë me një buqetë me këngë cilësore, homazhe për personalite të mëdha të pentagramit shqiptar, me prezantime interesante të disa artistëve të rinj dhe kryesisht me rikthimin në skenë të artistëve legjendar që kanë shkruar kilometra në skenën shqiptare.

Fillimisht, këtu vlen të theksohet se nëse dikush mbledh me laps e letër të gjitha vitet që kanë mbi shpinë, ë pjesëmarrësit qoftë si interpretues, qoftë si kompozitorë e tekstshkrues, qoftë si të ftuar special, i kalon lehtësisht të 400-at. Një festival që ka arritur të ruajë një imazh të pastër, një vulë personale që ndryshon nga ato eventet klishe që thjesht përkujtojnë personalitete të mëdha, nga ato modelet që kopjojmë nga jashtë (formula shumë të këqija për kopjimin, se nuk janë as mish as peshk që thotë edhe populli, domethënë as të huaja as shqiptare…) dhe ato festivalet që kanë humbur busullën e tyre në drejtimin muzikor.

Këtu qëndron ajo “majaja” e ndryshme që e bën recetën e Gjergj Lekës të suksesshme për mendimin tim. Ndryshe nga ajo çka përpiqet të shërbejë bota televizive shqiptare si moderne për publikun. Një festival që balancon të vjetrën, të renë, inovativen, alternativen dhe cilësoren. Me fjalë të tjera, dje u bëmë dëshmitarë okularë të këngëve të reja të të gjitha llojeve muzikore që mund të kërkojë dikush. Një festë për të gjitha shijet, pasi gjeje këngë pop, rock, balada, tango, rumba, ethnic, të trishta, gazmore, nostalgjike, popullore dhe sigurisht këngë të viteve dikur në harmoni të plotë mes tyre dhe të prera me thikë. Këngë shqiptare pa asnjë shtrembërim dhe pa asnjë përzierje, dhe mbi të gjitha pa atë rrëmujën që jemi mësuar ta gjejme në skaletat e plot festivale shqiptare.

Pikërisht do të ishte gjynah të mos përmend cilësinë në rrjedhën natyrale të ndjekur nga produksioni i festivalit. Dhe më besoni, me përvojën që tashmë kam në këto lloj produksionesh, mund ta dalloj lehtësisht nëse është e sajuar apo nëse rrjedh natyrshëm skaleta e festivalit. Gjergj Leka tregoi jo vetëm një aftësi të madhe për të menaxhuar të papriturat e një nate me 38 këngë (të cilat me improvizime të çastit u bënë 43) por shumë herë, i prekur nga kapaciteti i tij muzikor, dilte nga skaleta e moderatorit, duke hapur rrethe tematike interesante që na mbushnin me emocione. Diçka që në televizion është shumë e vështirë të mbahet pa dalë jashtë kufijve. E megjithatë ai ia doli.

Kështu, me një metodë induktive, dolën në skenë papritmas emra si Agim Krajka, Mark Kaftalli, Enver Shengjergji, Zhuliana Jorganxhi, Tasim Oshafi, Arben Duka, Gjergj Sulioti Aleksandër Lalo, Xhavit Ujkani etj. Nga ana tjetër, në skenë pamë gjelbërimin e përjetshëm dhe unik që pasqyron Justina Aliaj, me atë ëmbëlsinë e njohur që e ka dalluar si në timbrin e zërit ashtu edhe në lëvizjet e saj të rafinuara për shumë dekada. Po ashtu me krijime të reja u shfaqën dhe artistë me përvojë të madhe që guxoj të them se kanë shkruan faqe të lavdishme të historisë bardh e zi të Shqipërisë, artistë të cilëve u detyrohemi një pjesë të madhe të rinisë sonë si korçari Dhimiter Disho, i cili gjatë viteve ’70 shfaqej shpesh në festivalet e RTSH-së, Raimonda Ago e cila u kthye në skenën muzikore pas rreth katër dekadash, Alfredo Fred Meminaj që edhe pse i përket brezit më të ri të interpretuesve, performoi një këngë kushtuar nënës së tij që u nda nga jeta disa muaj përpara, Islam Vani një roker i përjetshëm shqiptar, vajza e ëmbël e viteve ’80 Erefili Çala Shyti, korçarja Olsa Pema që tronditi skenën duke treguar kësaj radhe aftësitë e saj lirike, Durrsaku Dhimiter Stefa që këndoi këngën “buzë detit” te së cilës mësuan drejtpërdrejt në skenë se krijuesi i saj kishte ndërruar jet pak më parë, Romeo Mustafa me të vetmen këngë të llojit “ethnik” e cila shumë mirë mund të na përfaqësonte edhe në Eurovizion (po! më besoni), Artan Bakija nga Kosova , Jovan Tere si dhe iraniani Sajad Sepehri që interpretoi këngën me një shqipe të përsosur dhe të pastër, duke dhënë leksion të hapur për të gjithë ata që shkruajnë “tekste” me degradime të shëmtuara të gjuhës shqipe.

Megjithatë talentin e tyre në këtë skenë e shpalosi dhe një tjetër grup artistësh që dominuan skenat vendase për rreth gjysmë shekulli, si kanarina e muzikës shqiptare Liljana Kondakci, korçari Pellumb Elmazi që mes të tjerash atje takoi edhe dublanten e tij Nazmie Kasmi pas Festivalit të 20-të të RTSH-së zhvilluar në vitin 1981 duke na mbushur me emocione të papara, ish “vajza luftarake” Arta Babaramo pa uniformën ushtarake kësaj herë, Raimonda Kamberi që u hoq nga skenat e kohës për arsye biografie me poezinë “Një vajzë” nga i Madhi Ismail Kadare, Dibranja Elida S Shehu që mbeti i stampuar në memorjen kombëtare me këngën e Aleksandër Lalos “Oj erdhi bilbili, oj erdhi në lëmë”, Kozma Dushi i cili këtë herë performoi një këngë krejtësisht ndryshe nga ajo që jemi mësuar, Bashkim Alibali Alibali i cili paraqiti një himn mbresëlënës kushtuar bashkëjetesës fetare dhe e paimitueshmja Alida Fiqirete Hisku e cila pas 50 vitesh fitoi sërish çmimin e parë me këngën ”Valsi i fundit”.

Në festival u shfaq edhe Ilda Leka (nuk ka lidhje me Gjergj Lekën) një këngëtare e brezit të rri që vjen nga Londra, duke interpretuar një këngë mbi vargjet e Arben Dukës që u vlerësua me çmim. Gjithashtu përshëndetën me këngë Leonard Bulku, Ton e Mark Gjoka me kostumet kombëtare të rrethit të Mirditës si dhe legjendari Abdyl Sturce që këtë vit mbushi 76 vjeç në skenë. Çmimet e artistëve të rinj u dorëzuan nga Zina Zdrava dhe Nora Çasku tek Dea Amoniku dhe Elisa Skarra, ndërsa morrën pjesë Albi & Siandra Hoxha, Amantia Balla, David Kerri, Kejtlin Gjata, Marlind, Paolina Pajollari, S. Kurti, G. Suku dhe fizarmonicisti Indrit Cakaj.

Çmimet u bazuan në votimet që kryen aty drejtpërdrejt nga disa grupe ndryshme me një sistem të përziere, ku morrën pjesë vetë artistët pjesëmarrës (ata me përvojë vlerësuan të rinjtë dhe anasjelltas), stafi, personalitete të ndryshme nga publiku etj. duke inauguruar një sistem votimi që funksionoi. Ajo që më mbeti ishin emocione shumë të forta, të cilat fitova për arsye të shumta e të ndryshme që nuk është me vend t’i shpreh këtu dhe ajo ndjesia e bukur të kujtimit të disa fragmenteve ose melodive nga këngët, një emocion sensual për mua që se kam ndjerë prej vitesh.

Si përfundim, shijet janë personale, por estetika e muzikës është publike dhe e përbashkët. Kjo është ajo që unë mbaj nga dje. Kështu që askush nuk është i detyruar të ndjekë mendimin tim ose të përshtatem absolutisht me atë që them. Ajo që rekomandoj është të ndiqni transmetimin televiziv dhe të nxirrni përfundimet tuaja, pa u futur në debate të kota me mua apo me ndonjë tjetër. Festivalet janë festa siç e thotë me të drejtë dhe vetë fjalë dhe jo sebep për përballje dhe grindje. Është mirë që të gjithë ne të shikojmë dhe të nxjerrim përfundimet tona nga ngjarje të tilla me qëllim të vetëm se si do përmirësojmë muzikën. Pavarësisht se na pëlqen Gjergj Leka apo jo, artistët që morën pjesë apo edhe unë që po shkruaj këto mendime, synimi është ta bëjmë muzikën më të mirë dhe të shohim variantet se si mund të punojmë në këtë drejtim dhe këtu është punuar. Është punuar mirë! Nuk ka kuptim të këshillojmë festivalet e tjera që të imitojnë recetën e këtij festivali, dihet që kjo vetvetiu nuk mund të bëhet. Por mund të themi me gojën plot, siç thoshte dhe titulli i një filmi për futbollin diku në vitet 2000 “Bend it like Bechkam”, “Bend it like Gjergj Leka” për muzikën.

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit