Gështenjat e Pogradecit
Gështenja (Castanea sativa ose, Castanea vesca) është një drupyjor dhe njëkohësisht drufrutor, i përhapur në Evropën Jugore, që i përket familjes, Fagacea.
Njihen 18 lloje, ose thënë ndryshe, populacione gështenjash.
Përmasat e pemës janë relativisht të mëdha. Në Tropojë, dikur është gjetur një dru gështenje me moshë shekullore, me diametër të trungut 2.45m, perimetër të tij 7.30m dhe lartësi 30m.
Pema e gështenjës shfrytëzohet kryesisht për lëndën e drurit dhe frutat.
Duke qënë se brezi evropian i përhapjes së gështenjës është i kufizuar në Mesdhe dhe meqënëse përkon relativisht me gjeografinë e përhapjes së dikurshme të qytetërimeve të lashta të këtij pellgu, si dhe mbi bazën edhe të disa të dhënave, mendohet se këtu pra, në Mesdhe, gështenja është specie e introduktuar nga Lidia e dikurshme e Azisë së Vogël dhe pastaj e përhapur gjithandej.
Gështenja në thellësitë e kohës për populacionet primitive të njeriut, ka qënë një nga ushqimet themelore.
Si Aleksandri i madh, ashtu dhe më pas romakët, kanë mbjellë gështenja gjatë fushatave të tyre ushtarake, gjithandej në lëvizjet e tyre nëpër Ballkan dhe Azi.
Mjekët e lashtë si Dioskuridi dhe Galeni, përshkruajnë në punimet e tyre vetitë mjekësore të gështenjës.
Sipas të dhënave, në Shqipëri më 1970 kish gjithsej 8195ha me gështenja, nga këto vëndin e parë e zinte Tropoja me 1800ha dhe të dytin Pogradeci me 1728ha, pra thuajse njësoj sa edhe Tropoja.
Pra Pogradeci kish thuajse 1/5 e gështenjave të gjithë Shqipërisë, dhe këtu, gështenjat e Zërvaskës ishin me nam. [Dikur këtu, edhe familja tonë kish pronë një copë pyll me gështenja, të cilën babai e konsideronte si pas shënimeve të tij, si pronën më të dashur, por që nuk na u kthye.]
Për nga ana cilësore sipas studimeve, gështenjat e Pogradecit kishin një sërë parametrash më të larta sesa gjithë llojet e tjera të gështenjave të Shqipërisë.
Konkretisht, përqindja e tulit në frut, në gështenjat e Pogradecit arrinte deri në 75.9%, në të Tropojës 75.2%, proteinat në gështenjat e Pogradecit arrinin në 6.7%, ndërsa në të Tropojës 6.0%, sheqeri në gështenjat e Pogradecit arrinte në 30.2%, ndërsa në të Tropojës arrinte në 20.4%, etj.

Dr. Ilia V. Ballauri ©
“Korça Encyclopedica” 3/1
@NewsIn.Al
