“Hasie dhe Spaç”…Ngjarje e jetuar nga nëna që shkonte tek i biri në burg!/Edison Ypi
Hasie dhe Spaç
Për ta variacionuar vajtjen, unë dhe nëna ime Hasia, iknim në Spaç për të parë vëllain Eduardin, veç e veç. Këtë herë unë, tjetrën herë pas gjashtë muajsh, Hasia.
Deri në Milot shkonim me tren.
Nga Miloti në Spaç dhe kthim në Milot, udhëtonim me kamionët që transportonin bakër nga burgu i Spaçit.
Në distancën Milot-Spaç, kamionat e bakrit, nga një katund në tjetrin, merrnin banorët lokalë, me të cilët edhe njiheshin.
Duke qarkulluar me vite në atë rrugë, shoferat e bënin mirë dallimin mes banorëve të zonës dhe armiqve të partisë dhe popullit ardhur nga larg, kërrusur me një trastë në dorë ose në sup me ushqime për të afërmit në burg.
Në kushtet e këtij diskriminimi negativ, për të vajtur nga Miloti në Spaç prisnim me orë derisa dikush nga shoferat e kamionave të na merrte për një arsye sa dramatike dhe qesharake: me pare dhe për mëshirë njëkohësisht.
Gjatë një vajtje të tillë në një ditë dimri me erë, shi, dhe acar, një kamionist mëshiroi dhe mori Hasien nga Miloti në Spaç. Ku Hasia, priti disa orë para postbllokut kafkian të burgut. U çmall me djalin. U nis për kthim.
Për Fat, një tjetër mëshirëmadh e zemërmirë shofer, e mori Hasien nga Spaçi në Milot, ku arriti pas disa orësh.
Mirpo treni i pasdites kishte ikur.
Priti për ndonjë makinë për Tiranë, a të paktën pak kilometra deri në Laç ku mund ta kalonte natën te disa kushurinj kolonjarë, edhe ata jetënxirë plot burgje dhe internime.
Prit e prit me orë të tëra Hasia me të zeza.
Asnjë makinë nuk e mori Hasien. Asnjë shofer nuk e mëshiroi tek kthehej nga burgu ku i kishin mbyllur djalin.
U err.
Trafiku qesharak i biçim kamionave plot rrapëllima u paksua, derisa u mek, u fik.
Hasia hodhi sytë rrotull.
Një rimorkjo e shkatërruar, një depo drithi si hangar aeroplanash, kamion i vjetër i braktisur, traktor i shpartalluar, plug i ndryshkur, tutje lart mbi kodër ca shtëpi fshati nga vinin të lehura, dhe dukej ndonjë tym që herë trashej, herë hollohej, por kurrrë nuk zhdukej.
U afrua Hasia te ura e madhe aty afër, te Ura e Zogut.
Heraherës i vinte në vesh një zhurmë makine që afrohej. Asgjë. Ishte vallzimi i erërave të tërbuara të grykës së lumit.
Prit e prit me shpresën se nga Shkodra ose nga Mirdita do vinte ndonjë makinë.
Vetëm ca mirazhe të turbullta rruferash të largëta me bubullima të vonuara.
Askush s’pati mëshirë për nënën time ta merrte nga Miloti në Tiranë, a të paktën nga Miloti në Laç te kushurinjtë e shumvuajtur.
U mbështoll me veten e vet. U ul mbi një gur. Ashtu e kaloi natën me shi dimri dhe suferinë Miloti. Krruspull si Mendimtari i Rodenit mbi atë gur.
Hasia nuk mund të ketë qënë e vetmja. Me siguri qindra ose mijra nëna të tjera kanë parë tmerr me sy te Ura e Zogut. Çudi si s’i shkelnin me rrota t’i hidhnin në lumë të vdekura. Kishin arsye. S’mund të ndihmonin nënat e armiqve që ktheheshin nga burgjet ku kishin zbrazur trastat për të ngopur armiqtë. I kishin parë nënat e armiqve gjatë pritjeve para postbllokut të Kafkës. Kishin lexuar Zërin e Popullit për ujin që fle dhe armikun që rri zgjuar, çarjen e bllokdës me anë të bakrit, e të tjera e të tjera.
Ura e Zogut nuk kishte të dridhura, as në kamare kuban.
Të dridhurat nga acari, dhe kurban veten e vet, urës së mbretit ja solli Hasia gjatë asaj nate ferri mbi atë gur te ai qosh i trisht.
Pas pak mbi atë urë do vihet një pllakë përkujtimore.
Pllaka do jetë prej bakri Spaçi.
Gjërësia dhe gjatësia e pllakës së bakrit do jenë proporcionale me distancat Milot-Tiranë dhe Milot-Spaç.
Mbi atë pllakë do shkruhet:
Te ky qosh i trishtë kaloi një natë dimri mbledhur krruspull mbi një gur Hasia e urtë. Këtu ku maces do i kishin dalë të shtatë shprtrat dhe qeni do kish’ ngordhur dhjetë herë, Hasia nuk vdiq.
Në inaugurimin e pllakës prej bakri Spaçi do flasi një orator i fuqishëm për të cilin presja djeg botën, pika kolapson Universin. Me fjalën e tij të zjarrtë, oratori do ua çvoshkë të pranishmëve zhguallin e konvencioneve si ajo makina që shkep kopertonat nga disku. Publiku do preket aq tepër nga ura e vjetër dhe Hasia e pavdekshme, sa të gjithë do shkrehen në lot. Lotët përrua. Përroi në lumë. Lumi në det.
Ndërkohë aty rrotull do jem unë i pasigurtë cilin të vras me një kobure kalamajsh.
Edison Ypi
@NewsIn. Al
