Luan Banushi: Disa të rinj a një shoqatë i ishin drejtuar Brukselit lidhur me dekomunistizimin në vendin tonë. Shkas u bë deklarata e inxhinieres së talentuar Luljeta Bozo.
Në një intervistë Luljeta kish deklaruar se regjimi i kaluar kish më shumë të mira se të këqia.
Edhe këtu, të djathtët kërkuan që ajo të linçohej.
Të djathtët, ndonëse e urrejnë komunizmin dhe komunistët dhe këtë s’lenë rast pa e shprehur, vetë sillen siç silleshin komunistët dikur me kundërshtarët e tyre, kanë atë mentalitet dhe mesa duket u pëlqen.
Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, janë distanuar nga komunizmi, ndërsa këta kanë mbetur në vend numëro. Kot nuk thoshte Niçja: “Zgjidhe armikun, se në fund do të përfundosh si ai”.
Luljeta për ta bëri sakrilegj, ndonëse ajo, si njeri i lirë, shprehu mendimin e saj dhe aq.
Kur sot në demokraci kërkohet të linçohet dikush pse tha atë që mendon, përse ankohemi për diktaturën apo kur të persekuton demokracia është mirë!?
Nuk jam për asnjë lloj diktature. Këtë qëndrim nuk e kam të sotëm, por kjo nuk më pengon ta shoh realitetin në sy dhe të bëj krahasime.
Të mohosh gjithçka që ka bërë ai regjim, jo vetëm është e gabuar, por dhe nuk është kaq e thjeshtë, se komunistët, në dyzet vjet, e theksoj, në dyzet vjet (tridhjetë vjet kemi ne që vetëm qahemi pasi shkatërruam gjithçka të mirë që ndërtuan komunistët) bënë aq shumë sa që sot është tërësisht e pabesueshme.
Nuk grabitën gjë për vete komunistët. Shtetëzuan për popullin, atij i ishte vjedhur pasuria, mos harroni, prona është vjedhje, me punë të ndershme vështirë se bëhesh i pasur.
Natyrisht pjesa më negative e atij regjimi ishte persekutimi dhe dënimi i klasës së përmbysur, jo pa faj, por sidoqoftë unë kam qenë dhe jam që askujt të mos i merret jeta se kështu e mendon dikush, qoftë ky edhe mbreti.
Pas përmbysjes së regjimit këtu tek ne nuk zhvilloi askush gjyq nga të persekutuarit dhe të dënuarit që të dilte i pafajshëm, kështu që ata mbetën të fajshëm, sipas ligjeve të botës perëndimore ku duam të shkojmë. Nuk di pse nuk deshën të pastrohen. Kjo bëri që tek të përndjekurit politikë të futen dhe hajdutë ordinerë dhe çfarëdo llumi tjetër dhe kështu ka mbetur ai krah.
Sot, sapo përmend diçka pozitive për regjimin e kaluar, të hidhen në fytyrë e të përmendin tollonin, a të tjera negativitete të kohës, të përsërisin pa u lodhur dhe pa u mërzitur gjëra që janë thënë e stërthënë në këto tridhjetë vjet sa që janë bërë bajate.
Me këtë sjellje të kujtojnë Enverin, në kohën e vet, që s’linte rast pa sharë Zogun, sa që u bezdisëm aq shumë që sikur edhe të vërteta të ishin, nuk donim t’i dëgjonim më, por Enveri nuk e kuptoi asnjëherë këtë, as të djathtët sot nuk e kuptojnë, ndonëse shajnë Enverin.
Natyrisht ato kritika qëndrojnë, por nuk mund të eklipsojnë tërë jetën e atëhershme, tërë zhvillimin me galop që u bë.
Duhet ta shohim të vërtetën në sy. Është pjesë e historisë e nuk mund ta fshijmë me një të rënë të lapsit se nuk i pëlqen dikujt. Ajo kohë nuk harrohet duke ndaluar njerëzit ta kujtojnë, qoftë edhe me ligj.
Komunistët nuk munden me ndalime, por duke tejkaluar zhvillimin e tyre.
Në emër të antikomunizmit u bënë dëme të mëdha, të panevojshme po e po, por edhe që shkonin në favor të fqinjëve tanë, që na luftojnë pafundësisht.
Edhe sot, shumica e popullsisë janë me atë kohë për shumë gjëra, nuk ishte rastësi ajo që tha Luljeta. Të djathtët e shanë, sharja nuk është argument.
Lujeta Bozo është njeri aktiv që i ka jetuar gjerësisht dhe intensivisht të dyja kohët. Në vend që të shahet, duhet menduar se çfarë nuk shkon që akoma pëlqehet regjimi i dikurshëm.
Nuk janë as budallenj dhe as të këqinj ata që e quajnë më të mirë se këtë regjim.
Mos të flasim përmendësh. Sa më me këmbë në tokë të jemi aq më shpejt mund të reagojmë siç duhet dhe të rregullohet gjendja, sepse historia do lexuar me vëmendje që të mësojmë prej saj e jo të përsërisim gabimet.
Të djathtët dhe të tjerë, sa herë u jepet rasti shfaqin urrejtjen e tyre, thjesht nxjerrin dufin e monentit se nuk fitojnë gjë.
Është turp për ne që sot, pas tridhjetë vjetësh ende të cilësohet diktatura se kishte më shumë të mira se të këqia.
Këtë duhet të analizojmë, jo duke ndaluar njerëzit të flasin, por duke gjetur psenë!…
Magdalena Alla

