Ngjarjet rrodhën kështu, unë dhe vëllai shkuam në universitet njëkohësisht. Fat,por edhe shpenzime. Kur te zyrat e komitetit në Korçë lexuam emrat dhe degët që do studjonim,në fund djathtas qe dhe kolona,”Me bursë”, “Pa bursë”. E dinim që pa bursë do e merrnim miratimin,gjithsesi shpresonim të paktën një gjysëm ndihme financiare pér mua a vëllain. Po s’qe kismet,thoshte gjyshja kur nuk na ndihte fati pér diçka
Në fakt u gëzuam shumë se do shkonim në degët që donim. Unë në letërsi,që vdisja pér lexim e që kisha botuar ca skica te gazeta lokale dhe vëllai pér kimi industriale,që ishte dëshirë e tij,por dhe që ishte modë inxhineria për korçarët.
Kur ia thamë babait në shtëpi,pritëm sa erdhi nga puna se atëhere jo cel nuk kishte,por as telefon në shtëpi,ai fluturoi nga lumturia. Vetë ende qe me shkollë të mesme,paçka se ishte shef finance në ndérmarrjen më të madhe të Korçës e vartës kishte dhjetra me arsim të lartë. Iu njomën sytë,atë çast pashë që shkollimin tonë e deshte sa donte mamanë. E tregonte në sy,gati alivanosej sa vinte nga puna kur shkëmbenin shikime. Pas gëzimit të çastit sikur u çorodit,u ngurtësua,pastaj lëvizi kokën nga unë.
-Shihe në kuzhinë sa është ora.
Kishim ngelur në korridor. Si monumente. Hyra në kuzhinë dhe mbi radio pashë orën.
-Dy e një çerek.
Ishte ora e vetme që kishte shtëpia. Askush nuk mbante orë në dorë. Nga që ishte shpenzim i madh se dëshirë kishim të gjithë. Nëna disa herë i kérkoi të hynte në një llotari në punë e t’i blinte orë babait,por ai e fshinte në çast këtë ide. Llotari atëhere quhej marrëveshje me shokët e shoqet e punës,duke hedhur një short,që shuma e lekëve që mblidhej pasi të gjithë paguanin psh 500 lekë,t’i jepej në fillim iksit,pastaj tjetrit e me rradhë. Zakonisht mbyllej brenda vititt e me 6 mijë lekë ato mote blihej një bufe,një radio e mirë e me rradhë sende me vlerë. Dhe babai mund të merrte një orë me aq. Kishin dalë ca të tipit Prima. Qenë burrash dhe grash. Të bukura sa më s’ka,ende më del para syve ajo fusha e bardhë me akrepat si veshur me flori. Babai ëndérr e kishte,ëndérr që ia nximë ne.
-Na doli shkolla,po pa bursë,-i thamë në një gojë unë e vëllai.
-Bukuri. Rëndësi ka që do shkoni të studjoni. Rrogën time do ua nis juve dhe me rrogën e mamit do kullandrisemi ne.
Ne që thosh ai,qenë katër veta. Babai,nëna,motra dhe gjyshja. Plus hyrje,dalje,sëmundje,gëzime,halle,derte…Gjithsesi u gëzuam pa masë,të gjithë.
-Epo,dy e gjysëm ora,ta festojmë,-tha babai e nxori një 3 lekë të ri.-Shko bli dy kriko birrë te Zaharaj. Merre kanën,hidhu atje e linkthi të vesh e të vish,-nxiti vëllain.
Pas ca ditësh u nisëm drejt Tiranës. Me gaz dhe me trishtim. Më ngeli në sy gjyshja. Qante sikur nuk do e shihnim më. Autobuzi mbushur me rini. Sa kaluam Maliqin nisi kënga. Nuk kuptuam sa shpejt arritëm në Tiranë dhe hymë në konvikt. Qe nata e parë që vëllai nuk flinte nën një çati me mua. Po u dhamë pas leksioneve,pas seminareve,librave,bibliotekave dhe jeta mori sprint të fortë. Pas një muaji te dera në konvikt u paraqit një mesoburrë.
-Agimi?
-Po.
-Këtë letër e ke nga babai.
E hapa,brenda ishin 6 mijë lekë,bursa jonë. M’u dukën kaq shumë sa zarfin po e mbaja me dy duar. I ndava dhe shkova te konvikti i vëllait. Sa ia dhashë,pashë që u emocionua. Nga shuma e tij hoqi 250 e m’i dha mua.
-Hiq dhe ti 250,bëjnë 500. Çdo muaj nga tani e deri në verë i bëjmë 6 mijë. Ia japim babait të blejë një orë.
M’u duk shumë ide e bukur. Më kapi ngashérimi. Ika në konvikt dhe i futa te romani “Gjeniu”. Se ide gjeniale m’u duk. Në fakt 250 i ndjenim gjatë muajit. Se na duhej ndonjë lek pér libra,pér sapun a brisqe,pér çorape a nderresa,pér ndonjë pastë e fati ynë i keq që ndiznim ndonjë cigare. Vendosëm ta rrallonim. Nuk i kérkonim kujt,ama as mos i jepnim kujt. Merrnim dy copë kur iknim në shkollë e tre mbasdite. Kaq. I rralluam dhe telegramet pér provimet. Sa i shlyenim shkonim te halla jonë. Ajo kishte një fqinj me telefon në shtëpi. Ai merrte Andrean,fqinjin tonë në Korçë. Ky lajmëronte babin ose nënën dhe ne flisnim një minutë.
-Dhjetë provimet i morëm shumë mirë,(pesë unë e pesë vëllai)
Kështu kursenim lekët. Siç vëllai kur shkonte te shkencat nuk hypte në urban. E bënte në këmbë. Shpesh dhe dy herë në ditë se kishte laboratorë mbasdite.
Jeta po na ngrohte. Unë u lidha me një shoqe të kursit. Doja t’i jepja ndonjë pastë,por s’mundesha. Po ia gjeta dhe zgjidhjen. Shisja latën e ushqimit të mëngjesit. Rrija pa ngrënë,ama në drekë si lubi. Një pjatë gjellë,po bukë me shumicë,qe pa lekë. Dhe mbasdite më delnin paret pér dy pasta. Deri sa ajo e mësoi hallin tonë e u fut në lehtësira pér ne. Blinte ndonjë ditë dy paketa Partizani,një pèr mua e një për vëllain. Më pas kur delnim shétitje të tre na qeraste me ndonjë kriko birrë. Rrallë,ama,por na gëzonte. Dhe kryesorja,nuk harxhoja pér libra se pérdorja të sajat.
Sa erdhën pushimet e verës i hipëm trenit të parë atij të 5 e 20 minuta. Malli na e shkurtoi rrugën. Te autobuzët na priste babai,nëna,motra,gjyshja. Sikur kishte dalë krejt bota. Sa pèrqafova babain nuk durova,i zgjata zarfin.
-Ç’është kjo?
-Lekë,të blesh një orë. Na dhanë shpérblim në shkollë ne studentëve të dalluar . Me vëllain menduam që të ta bënim dhuratë.-i thashë.
E sajova nga që patëm frikë se mos nuk do i pranonte. Ai u gëzua aq shumë sa doja t’i thoja të vértetën,po më mbajti pickimi i vëllait.
Nëna kaq desh,e mbushi lagjen me lajmin,djemve u dha shpérblim universiteti 6 mijë lekë se dolën gjithë dhjeta. Motra nuk na gëzohej dot. Po ne vëllezérit na kapte një e qarë se e shihnim që ajo ishte veshur e gjitha me rrobat tona. Ia rregullonte pak nëna e i thoshte frazën,bëj si të bësh.
Kalonin ditët me pushime plot gjallëri. Mes shokëve e në vendet ku thuajse po i harronim. Te shatérvani .te Belvederja,te Shëndëllia,s’na mbante vendi nga nostalgjia.
Një drekë babai foli:
-Po u jap një lajm bombë.
-E bleve orën?-u kujtuam.
-Akoma,shiten me autorizim. Lajmi është se dhe unë u rregjistrova në universitet,në degën financë të fakultetit ekonomik. Tani familja Xhafka do ketë tre studentë në gjirin e tij.
Nëna u zverdh.
-Grua,mbahu,mos u lësho. Jam student te filiali Korçës,nuk do shkoj në Tiranë.
Atë çast babai m’u duk më i ri. Ai dukej fiks si shoku ynë,po tani m’u bë tamam vérsniku im.
Nga fundi i gushtit,kur unë dhe vëllai po bëheshim gati të niseshim pér Tiranë,babai erdhi me një pako mbështjellë me kollë të bardhë,kështu i themi ne korçarët një letre të bardhë të madhe dhe me lustér. E grisi me nxit e para syve na dolën…tre ora. Njësoj,burrash,me fushë të bardhë dhe me akrepa prej floriri.
-Uau,-ia bëmë të gjithë veç babait.
Ai i mori nga kutia e njérën e vuri te dora e tij. Pastaj tjetrën te dora ime dhe e treta te dora e vëllait. Instiktivisht shtrimë duart para. Na u duk se orët nxirrnin shumë drita me shkëlqim.
-Të paskan shpèrblyer dhe ty në punë? Me 12 mijë lekë?- e pyeta.
Heshti pak.sikur po rehatonte trillimin te goja e tij.
-Po u them të vèrtetën. Lekët tuaja më gëzuan,doja ta blija një orë e të krenohesha. Po sa po e vija në dorë pyeta veten. Djemtë studentë,unë student,pse atëhere orë të kem veç unë. Ndaj e lashë orën e mirë PRIMA. Gjeta orë të bukura,më të lira se këto janë orë pa gur. Pra kanë precizion,po s’janë jetëgjatë. Punë e madhe,mendova. Djemtë pas tre vjetësh dalin vetë në punë e do blenë orë më të shtrenjta. Ndaj atë 6 mijë lekshin e pjestova në tre dhe më dolën pér të tre orat.
Pasi pa që të gjithë i kishim sytë mbi sahatët e rinj pyeti si gjithnjë:
-Ore sa e keni orën?
-Dy e gjysëm,-thamë unë e vëllai.
-Kaq dhe unë.- Dhe nxorri nga xhepi 3 lekë.-Shko te Zaharaj e merr dy kriko birrë,-i tha vëllait.-Mos harro kanën,byrazer.
Vëllai rrëmbeu kanën e në çast sikur e dogji,e hodhi nga dora tjetér. Se iu duk sikur te dora e majtë,si majtosh që është,do i gërvishtej ora. Dëgjoja që i zbriste shkallët si i marrë. S’kish faj,një orë dore ato vite sillte aq gëzim sa një i-phone 12 kur dikush ta fal sot me zemër…

#NewsIn. Al

