“Kur nuk kemi mësuar asgjë nga askush dhe kur askush nuk ka mësuar asgjë prej nesh, atëhere thjesht kemi humbur rastin në jetë.”
U mësuam, u argasëm, bëjmë sikur na dhemb trupi, por mbi kurriz i mbajmë…ndryshe nuk ka si ta spjegosh…Si ka mundësi që ata që vjedhin e ngrenë kokën më lart, e ata që deshtojnë, të poshtërojne duke të vënë para syve suksese të paqëna?! E kjo kastë e paaftë e hajdutëve nuk është vetëm e paturpshme, por edhe fodulle , edhe e mbrojtur…vite te tëra pa identitet…hajdutë bankash…hajdutë jetësh…hajdutë të pasurisë…hajdutë idealesh dhe besimi…
Si ka mundësi, që ndoshta pa e kuptuar, kemi ndryshuar, jemi përshtatur, jemi bërë shurdhë, qorrë dhe memecë në një shoqëri, ku të parët janë ndjerë të autorizuar të vjedhin si të duan shtetin, ta perdorin atë për t’u pasuruar e për të bërë favore e karriere “pa iu dridhur qerpiku”, duke ia lënë frikën e policisë dhe gjykatave popullit që para dhe poste nuk ka? Deri kur do të vazhdojmë të mos jemi popull në kuptimin e vërtetë që ka kjo fjale? Deri kur do të vazhdojë të na përvëlojë dielli i nxehtë qe shohim të bjerë mbi vilat e panumërta luksoze të atyre që fati ynë i keq e donte të ishin ligjvënësit tanë?
Për sa kohë do të jemi pjesë e këtij realiteti, ku fajtorët e vërtetë, ose falen menjëherë, ose harrohen, ose justifikohen….???
Është një aleancë “e pashkruar” , pjesë e politikës pa bosht, pa ideal, vetëm me këpucë të majta e të djathta, për të mbrojtur “kokat” e mëdha që drejtojnë e bëjnë sikur zihen e zgërdhihen…gjithmonë ata do të sakrifikojnë, ata që kanë rreth vetes, për të shpëtuar “lëkurën” që mbajnë nën lëkurë…

“Zemërgjërësia e njeriut , është të hajë njerëzit që ka afër” ka thënë Platoni…dhe më mirë se kushdo këtë e venë në zbatim ata që ti ju ke shërbyer me shumë zell. Asgjë nuk është për t’u çuditur… kjo është normale në një vënd ku mosmirënjohja dhe paaftësia janë ngritur në piedestal!
Se harrova…ne hajde vazhdojmë zihemi për ” mustaqet e Çelos” si i do pozita dhe si opozita…
#Ilir Jano

