Kush do jetë drejtuesi i ri i Policisë së Shtetit? A mendoni se Gledis Nano është drejtuesi i duhur?
Që nga ardhja në pushtet e Partisë Socialiste në Shqipëri në vitin 2013, një nga institucionet që ka reflektuar më qartë ciklet politike ka qenë Policia e Shtetit. Ndryshimet, shkarkimet dhe emërimet e drejtuesve të saj kanë qenë të shpeshta, duke krijuar perceptimin e një paqëndrueshmërie strukturore në majën e piramidës drejtuese.
Shkarkimi i fundit ishte ai i drejtorit Ilir Proda, ku mjaftoi mosmenaxhimi i protestës së PD-së, për të pësuar fatin e drejtuesve të mëparshëm. Kjo ndoshta për shkak se Policia e Shtetit është institucioni i parë që përballet me tensionet politike dhe sociale. Edhe pse politika nuk ndërhyn domosdoshmërisht në operacionet e përditshme, destabiliteti politik shpesh reflektohet në drejtimin e saj. Lëvizjet e shpejta sjellin kështu pasoja në mosvazhdimësi strategjike, që do të thotë se strategjitë e tyre mbeten në letër ose zbatohen pjesërisht. Por jo vetëm kaq. Kur drejtori ndryshohet shpesh, krijohet perceptimi i një institucioni të varur nga dinamika politike, çka sjell uljen e besueshmërisë te publiku. Gjithashtu, ndryshimet në majë shpesh shoqërohen me lëvizje zinxhir në nivelet e mesme drejtuese, duke prodhuar pasiguri në radhët e uniformës blu.
Vlen të mos e mohojmë se sa herë që ka përplasje të forta politike, protesta apo kriza, institucioni që ekspozohet i pari është policia. Në këto raste, çdo lëvizje në krye të saj interpretohet edhe si reflektim i klimës politike dhe jo si proces normal administrativ.
Kjo krijon një devijim të perceptuar të misionit të saj: nga garantuese e rendit dhe sigurisë publike, në një institucion që shihet si i ndikuar nga ciklet e pushtetit.
Po të shohim në hark kalendarik, që nga viti 2013 e deri më sot, në krye të Policisë së Shtetit kanë kaluar disa drejtues të përgjithshëm si:
Artan Didi (2013–2015), Haki Çako (2015–2018), Ardi Veliu (2018–2021), Gledis Nano (2021 – 2022), Muhamet Rrumbullaku (2022–2024), Ilir Proda (2024–2026).
Në total, 6 drejtorë të përgjithshëm në rreth një dekadë qeverisje. Mesatarisht, mandati i një drejtori ka qenë rreth dy vjet, me përjashtim të Ardi Veliut, i cili qëndroi 3 vite e 8 muaj.
Qëndrueshmëria e tij e gjatë solli një lloj stabiliteti institucional.
@NewsIn.Al
