Ky është Ballkani:
Mijëra dronë turq Skydagger arritën në Kosovë – tre muaj më herët se sa pritej
Kosova ka pranuar të mërkurën “mijëra” dronë turq të tipit Skydagger, të dizajnuar për goditje precize kundër objektivave lëvizëse dhe fikse. Kryeministri në detyrë Albin Kurti njoftoi se dorëzimi ishte më herët se sa ishte planifikuar, si pjesë e kontratës me kompaninë turke të mbrojtjes Baykar, të nënshkruar në dhjetor 2024
Sipas Kurtit, dhjetëra ushtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës tashmë janë trajnuar për përdorimin e dronëve, të cilët përshkruhen si “gati për fluturim” (RTF) dhe bartin ngarkesa shpërthyese. Ai theksoi se prokurimi i ri “forcon ndjeshëm forcën dhe aftësinë teknologjike të ushtrisë”.
Lajmi shkaktoi reagim të fortë në Serbi. Presidenti Aleksandër Vuçiç akuzoi Turqinë për “destabilizimin e rajonit”. “Tani është absolutisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe ëndërron të ringjall Perandorinë Osmane. Serbia është shtet i vogël, por ne i kuptojmë qëllimet e tyre reale”, ka thënë presidenti serb në një postim për X.
Ndërsa presidentja e Kosovës Viosa Osmani është përgjigjur se Ankaraja, si anëtare e NATO-s, “ndihmon në ruajtjen e paqes në Ballkan”. “Vuçiç duhet të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë, në vend që të sulmojë vazhdimisht fqinjët e tij. Por duket se për mendësinë e tij hegjemonike, e cila ka ngecur në të kaluarën dhe vazhdimisht synon bullizimin e të tjerëve, një kuptim i tillë duket i pamundur”, tha ndër të tjera Osmani.
Çfarë është Skydagger RTF? Është një dron “gati për fluturim”, shpesh luftarak, i pajisur me një pajisje shpërthyese për përdorim kundër objektivave statike dhe lëvizëse, megjithëse ka edhe aplikacione profesionale si mbikëqyrje, kërkim dhe shpëtim. Mund të fluturojë me një shpejtësi maksimale prej 130 km/h në një distancë maksimale deri në 10 kilometra.
Ardhja e Skydagger është një hap tjetër në përpjekjen e Prishtinës për modernizimin e ushtrisë së saj, pas blerjeve të dronëve Bayraktar, automjeteve të blinduara dhe raketave antitank Javelin nga SHBA, pasi qeveria e Kosovës ka rritur buxhetin e mbrojtjes këtë vit në 207.8 milionë euro.
#balkanews #Κόσοβο #Τουρκία #Βούτσιτς #drone
Aleksandër Marku / Selanik
@NewsIn.Al
