Paketa e katërt e sanksioneve synon individë dhe subjekte të përfshira në sulmin ndaj Ukrainës, si dhe disa sektorë të ekonomisë ruse.
Presidenca franceze e Këshillit të BE-së njoftoi përmes Twitter-it se paketa e 4-të e sanksioneve kundër Rusisë u miratua nga ambasadorët e vendeve të BE-së (COREPER II) .
Në konsultim me partnerët ndërkombëtarë të BE-së, paketa e 4-të e sanksioneve synon individë dhe subjekte të përfshira në sulmin ndaj Ukrainës , si dhe disa sektorë të ekonomisë ruse. Këto masa do të hyjnë në fuqi menjëherë sapo të publikohen në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
COREPER II miratoi gjithashtu një deklaratë për Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) për pezullimin e statusit të favorshëm të Rusisë si anëtare dhe pezullimin e shqyrtimit të aplikimit të Bjellorusisë në OBT.
Abramovich është në “listën e zezë”
Sipas burimeve të cituara nga Reuters, mes oligarkëve rusë që i shtohen “listës së zezë” të sanksioneve është edhe emri i miliarderit Roman Abramovich, pronari i skuadrës angleze të futbollit Chelsea.
Kujtohet se më 11 mars, pas Samitit të Versajës, Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, shpalli një “paketë të katërt masash për izolimin e mëtejshëm të Rusisë dhe varfërimin e burimeve të përdorura për financimin e kësaj lufte barbare”.
Ursula von der Leyen kishte shpallur ndalimin e eksporteve të mallrave luksoze në Rusi, si dhe ndalimin e eksporteve të çelikut. (In.gr)
@NewsIn.Al

