KreuKulturë / ArtMë 30 dhjetor, 1940 ndërroi jetë Homeri shqiptar At Gjergj Fishta..."shqyptari me...

Më 30 dhjetor, 1940 ndërroi jetë Homeri shqiptar At Gjergj Fishta…”shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën”

Më 30 dhjetor, 1940 ndërroi jetë Homeri shqiptar At Gjergj Fishta. Në varrimin e tij morën pjesë personalitete të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. At Gjergj Fishta u varros me nderime të mëdha më 31 dhjetor të vitit 1940. Hafiz Ali Kraja ishte një ndër personalitet e larta që mori pjesë në atë ceremoni dhe aty mbajti një fjalim brilant për mikun e tij të çmuar, At Gjergj Fishtën. Hafiz Ali Kraja ishte një ndër intelektualët e famshëm mysliman nga qyteti i Shkodrës. Fjalimi i tij në ceremoninë e varrimit të klerikut të shquar, At Gjergj Fishta, është një ndër fjalimet më të bukura të mbajtura në raste të tilla. Ajo çfarë e bën më të veçantë, është fakti se si një hoxhë i thurr një tekst të tillë të lartë një prifti. Ata ishin intelektualë të shquar dhe ajo ishte me të vërtetë bashkëjetese fetare.

Ja edhe fjalimi i plotë i Hafiz Ali Krajës:

“Poet kombëtar, Patër Gjergj!

Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…

Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcisë”, kryevepra jote monumentale.

Të jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar…

Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”.

Nestor Dede, Athinë

@ NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit