Sunday, August 23, 2026
spot_img
HomeKulture / Art"Meditim i heshtur ndërsa lexon "Histori të tmerrit -1999". Dosje krimesh të...

“Meditim i heshtur ndërsa lexon “Histori të tmerrit -1999″. Dosje krimesh të luftës, rrëfime të grave kosovare sjellë në një libër të vetëm nga S. Gashi” / Nga dr.Ilir Shyta

“Kam parë kaq shumë tmerre në Kosovë, sa nuk dua të kem më sy”

(Meditim i heshtur ndërsa lexon “Histori të tmerrit -1999”. Dosje krimesh të luftës, rrëfime të grave kosovare sjellë në një libër të vetëm nga S. Gashi).

“Kam parë kaq shumë tmerre sa nuk dua të kem më sy”, thotë një nënë shqiptare kur takon zonjën Clinton në kampet e Bllacës pranë Tetovës në Maqedoni, aty ku ishin strehuar si bagëti pa shpresë, mijëra kosovarë e kosovare, madje edhe shumë fëmijë të traumatizuar, njëlloj sikur të rriturit e mbetur gjallë.
Është ky një pasazh që vjen si dëshmi kujtese në librin dokumentar të gazetares Sanije Gashi “Histori të tmerrit -1999”. Dosje krimesh të luftës, rrëfime të grave kosovare.
“Ndjek rrëfimet e tyre faqe pas faqeje. E ndërpres leximin. Marr frymë përsëri, për të vazhduar. Nuk është e lehtë të vazhdosh një libër të tillë, thotë diku në një shkrim të saj enkas për këtë libër, Elena Kadare.”
Në fakt, jo se imitoj në mendime zonjën Kadare, por e vërteta është s’e këtë përjetim pata edhe unë kur lexoja këto tmerre serbe, që s’ka ujë deti e oqeani bashkë të lajë gjakun e tyre. Këtë ndjesi, të ndërprerjes së leximit, qoftë edhe pas një faqeje të vetme e kam provuar edhe me romanin e Elvira Dones “Yjet nuk vishen kështu”, por dua të shtoj se këtë ripërjetim në librin e koleges Gashi, e kam bërë gjithashtu edhe vetëm pas dritëparjes të fotografive rrënqethëse të këtij botimi, që përbën histori të dëshmuar për mbarë botën.
Ndërkaq, përpjekja e librit synon në gjetjen dhe shpjegimin e disa mekanizmave të të ashtuquajturit “sistem i analogjive”, i cili shtrihet në rrafshin viziv e konceptual të strukturave, që nga imazhet e deri te tërësia e tmerreve. Them analogji se ato pak a shumë janë të njëllojta vetëm se kanë emra dhe moshë të ndryshme…
Kemi të bëjmë me 33 tregime tmerri, pra 33 histori, që rrëfehen e qëndrojnë të mëvetësishme, apo kemi 33 kapituj të lidhur ngushtë me qëndresën, që i japin kësaj vepre strukturën e një seriali dokumentar pavdeksie.
Mendoj se mëvetësia e këtyre 33 “njësive” është relative, si mëvetësia e pjesës në raport me të tërën. Ma përforcon këtë mendim, fakti që simbolet, por edhe strukturat formale të njësive të veçanta, rimerren në dimensione e këndvështrime të reja në njësitë pasardhëse, duke krijuar kështu një mozaik përherë e më të plotë të luftës kosovare të mijëvjeçarit që shkoi.
Në fokus të këtij shkrimi do të ve zbërthimin dhe bashkëlidhjen strukturore të rrëfimeve, për të përftuar, së fundmi, një skemë të plotë të arkitekturës së veprës që mban emrin dëshmi tmerri. Foto njerëzish të zhdukur apo që thjesht etiketohen si të humburit e këtij genocidi të çmendur, kam parë edhe në kangjellat e qeverisë së Kosovës. Ata ishin shumë… dhe kërkonin shpagim. Ndërkaq ato foto të pafundme më bashkohen me 30 fotot e vendosura në fund të këtij botimi të Gashit.
Po e mbyll këtë meditim mbijetese dhe krenarie njëherazi, sërish me fjalët e zonjës Kadare.
“Dua ta them: Të lexosh një libër të tillë, në mbarim të tij nuk je më ai që kishe qenë disa orë më parë. Shumë herë m’u desh të ndalem, të vështroj jashtë nga dritarja, për t’u bindur se bota reale ekziston vërtet, se njerëzit vazhdojnë të ecin normalisht, se ata bisedojnë si përherë, se ata nuk e kanë humbur buzëqeshjen, se bëjnë ende plane për jetën… Megjithatë, pas këtij libri, kurrsesi s’mund të jesh më ai që ke qenë. Sepse në botë, jo kushedi se sa larg prej këtej, po këtu, mu në zemër të Evropës, ka ndodhur diçka e kobshme, e paparë, hollësitë e së cilës njerëzit duhet t’i mësojnë me urgjencë, për të ditur si ta mbrojnë atë bisedë, ato plane, atë ecje të përditshme, gjithçka që mban në këmbë atë që quhet jetë njerëzore.” Dr.Ilir Shyta

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments