KreuBotaNë kinematë greke prurje filmike të produksioneve shqiptare..."Zgjoi" në një film me...

Në kinematë greke prurje filmike të produksioneve shqiptare…”Zgjoi” në një film me përmbajtje e këndvështrime shumëdimensionale.

Prej vitesh jemi mësuar të shohim në kinematë greke prurje filmike të produksioneve shqiptare e bashkëpunime të tyre.
Që “Zgjoi” fluturoi drejt Athinës nuk përbën asgjë të veçantë duke patur parasysh suksesin e këtij realizimi përtej kufijve të Kosovës dhe trumpetimin në mediat e huaja që më të drejtë iu bë.
Përtej një teme reale e prekëse, përtej një syri kaq fin regjizorial të Blerta Bashollit, përtej një grupi kaq të arrirë me aktorë të një kaste të lartë si Yllka Gashi, Çun Lajçi, Aurita Agushi, etj… muzikë, fotografi, montazh, përtej dhe shumë e shumë detajeve që syri i një shikuesi të thjeshtë nuk i vë re, sjellja paralelisht e një sërë problematikave e kualifikon “Zgjoin” në një film me përmbajtje e këndvështrime shumëdimensionale.
Nuk është vështirë të identifikohen të gjitha sa thashë edhe nga një sy krejt i pa stërvitur, pasi janë lënë e dhënë thjesht e pa llustra, e vështirë është t’i përtypësh e t’u ndjesh shijen sakaq.
“Zgjoi” është nga ata filma që të mbetet nofullave dhe të detyron ta ripërtypësh e të vazhdosh të përlotesh edhe ditë më pas.

Krushë e Madhe – Fahrija

– Historia e një gruaje që as është e as nuk është vejushë, e cila thirret të marrë rolin e burrit në shtëpi duke u vendosur në shënjestrën e çdo vështrimi gjykues e paragjykues, të një komuniteti që fare thjesht mund ta cilësosh si i mbetur në një tjetër epokë me kodet e veta të patjetërsueshme.
– Një baba, gjysh, vjehërr, i ndërmjetëm, mes se resë tabu e tradicionales së kalbur që thirret të mbajë peshën e nderit të një shoqërie si të mos i mjaftojë thesi me të cilin pret të mbartë eshtrat e birit të humbur.
– Fëmijët e familjes në fjalë të cilët rrjedhimisht thirren të jenë “rrufepritës” ndaj paragjykimit, të rriten brenda disa ditëve, të mbajnë balancat brenda vetes ndërmjet se resë, se vjetrës e së duhurës.


– Nje shoqëri e burgosur në kafkën e vetë e cila fjaloset vetëm me rregulla kanunore, patriarkale, arkaike, brenda një bote që evoluon, por pa ta.
– Një dritë shprese e rilindjeje që vjen nga qenia më e brishtë dhe e fortë njëkohësisht, ashtu siç ajo di të lindë jetë, besim, shpresë, gruaja.
Përkrahja, empatia, ndaj një tjetër gruaje që lindin si një filiz i brishtë e rriten, forcohen duke u kthyer në mburojë.
– Të gjitha këto me sfond një luftë shfarrosëse pa emër, pa arsye, pa ideal, pa moral, e cila me kalimin e saj la pas kufoma, klithma, urrejtje.

“Zgjoi” elementi real i një ngjarje reale, i sjellë në ekran kaq artistikisht, merr gjithë personifikimet e mundshme, të veshura tek secili rol e rrjedhimisht në atë grusht njerëzish, për të ardhur tek shikuesi si ndjesi e si ushqim shpirtëror, por dhe si diçka e prekshme, mjafton të kesh maturi, qetësi e durim tek pret thumbimet e njëpasnjëshme.
Zgjoi” do të vazhdojë të shfaqet në disa nga kinematë greke, prej datës 24 Mars.
Ndërkohë në premierën e tij në dt 19 Mars publiku pati rastin të njihet e të bisedojë me regjizoren Blerta Basholli, aktoren Aurita Agushi dhe z. Lum Çitaku nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Takim i realizuar falë bashkëpunimit të dy Qendrave Kinematografike të Kosovës e Greqisë, e falë punës së Zyrës për Interesat e Kosovës në Athinë, e cila dita-ditës i jep ngjyrime të larmishme bashkëpunimit mes dy vendeve.

Brikena Qama- Athinë

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit