Pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve (MAS), sot është nënshkruar kontrata për projektin e rëndësishëm SOEN 4.0 mes drejtores së Gjimnazit “Ymer Dishnica”, znj. Aurora Gjergo, dhe Drejtorit Ekzekutiv te organizates Balkan Youth Activism, z. Gurali Haxhillari. Ky projekt ka si objektiv kryesor fuqizimin e organizatave rinore në Ballkanin Perëndimor, duke vënë theksin në përmirësimin e punës me të rinjtë dhe ngritjen e kapaciteteve.

Gjimnazi “Ymer Dishnica” në Korçë do të jetë shkolla partnere për Shqipërinë, duke filluar një proces të rëndësishëm bashkëpunimi me institucione të tjera arsimore.

Indikatorët e Suksesit të Projektit përfshijnë:
– Angazhimin e 570 të rinjve, përfshirë 120 me mundësi më të pakta.
– Zhvillimin e 90 planeve të zhvillimit personal dhe 21 iniciativave me ndikim social.
– Bashkëpunim me 3 institucione arsimore dhe 12 organizata rinore.
– Dhanien e 300 certifikatave për arritjet e të rinjve.
– Angazhimin e 20 partnerëve indirekt dhe zbatimin e 10 projekteve me pjesëmarrës në shkolla.
– Zhvillimin e mendimit kritik dhe aftësive për zgjidhjen e problemeve, për të promovuar një shoqëri gjithëpërfshirëse.
Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për të rinjtë dhe nxitjen e angazhimit të tyre në shoqëri.
“Është koha për të bërë ndryshimin dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të rinjtë tanë! Le të punojmë së bashku për një shoqëri më të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse,” tha znj. Gjergo pas nënshkrimit të kontratës.

Ky projekt, i cili do të zgjerojë mundësitë për të rinjtë, është një shenjë e angazhimit të vazhdueshëm për zhvillimin e komuniteteve rinore në Shqipëri dhe në rajon.

