KreuAktualiteti"NËNSHTRIMI I DETYRUAR"- Reportazh mbi të padukshmit e heshtur të...

“NËNSHTRIMI I DETYRUAR”- Reportazh mbi të padukshmit e heshtur të qytetit tim…/ Dr. Eris Rusi

NËNSHTRIMI I DETYRUAR

– Rreportazh mbi të padukshmit e heshtur të qytetit tim

Eris Rusi

 

Në lagjen 4 të qytetit të Korçës, është bërë zakon të shoh në orare të rregullt, para se makinat që ngarkojnë mbeturinat nga koshat e plehrave të hyjnë në veprim, një çift rom që merr me radhë kazanët e zonës përqark. Zona në këtë pjesë të qytetit është një panoramë me dy fytyra: nga njëra anë disa prej lokaleve që frekuentohen më së shumti, ku mbizotëron “Birra Korça” me tërheqjen e turistëve dhe banorëve vendas që i gëzohen jetës deri në orët e vona të mbrëmjes, e nga ana tjetër shtëpi ku jetojnë njerëz në mbijetesë, pallate me banorë që vijnë nga shtresat më të margjinalizuara e të segreguara të shoqërisë, romë dhe egjiptianë.
Ky shkrim erdhi pasi kërkova të mësoja diçka më tepër rreth fatit të atij çifti, që në heshtje e me një kujdes gati të sëmurë kontrollojnë “pa shqetësuar askënd”, me një lloj fisnikërie që ngjan absurde kur e mendon gjendjen që përjetojnë ata çdo ditë. Burrë e grua janë si dy të padukshëm të heshtur, që kanë të shënjuar shenjën e fatit të dhimbshëm në fytyrë, e që kërkojnë mbijetesë duke futur duart në kazanët e plehrave, për të grumbulluar mes mbeturinave diçka që mund të vlejë, të shitet për pak lekë e të sigurojë të ardhura minimale për të jetuar edhe një ditë tjetër.
Iu afrova një ditë dhe më lindi natyrshëm të pyes pse e bëjnë një punë të tillë.
– Të ishte punë, do të ishte gjysma e së keqes, – më thotë me një vështrim serioz burri. Ai ka një shtat mesatar, mund të jetë diku tek të pesëdhjetat, por jeta ngjan ta ketë shënjuar më shumë seç duhet fizikun e tij. Një hap më mbrapa është gruaja e cila ka lënë një çast punën dhe mban vesh të dëgjojë bisedën mes nesh.
– Po çfarë është kjo që po bën? – e pyes, duke guxuar të di më shumë rreth atij itinerari të vështirë, thuajse të pamundur, që ato dy krijesa perëndie e bëjnë çdo ditë.

– Kjo është skllavëri! – më përgjigjet pa hezitim.
I ngul sytë. Është plot mllef dhe dëshpërim ajo përgjigje. Mendja më shkon mos vallë janë të detyruar të bëjnë atë punë nga ndonjë sipërmarrës mizor, që i detyron të punojnë deri në mbrëmje vonë, për t’i paguar më pas sa për një kothere bukë. Mendoj që edhe kjo që bëjnë, nëse është e vetmja që kanë mundësi të bëjnë, duhet të ketë një lloj kontrolli, një organizim, që ata të mund të ushtrojnë këtë punë për mbijetesë duke qenë të mbrojtur e të garantuar nga rreziqet që ka përballja me mbeturinat çdo ditë. Dhe si rasti i këtyre dy njerëzve ka plot. Një pjesë e madhe vijnë nga minoriteti rom dhe egjiptian, por nëse do të ishte e mundur që institucionet lokale dhe organizatat joqeveritare të kontribuonin për të bërë diçka, në bashkëpunim me bizneset e riciklimit, gjendja mund të ndryshonte për mirë.
Menjëherë më vjen në mendje një nismë që kam dëgjuar të ketë kryer mjaft veprimtari për ta arritur një standard të tillë. Qendra Eper, në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës dhe bizneset e riciklimit, po çon përpara një punë të nisur prej kohësh, që të arrijë të nxjerrë nga anonimati këta njerëz, t’i përfshijë në lista që premtojnë një punësim të mundshëm, real, e t’u garantojë kushte me dinjitoze për atë veprimtari të përditshme.
Por e vetmja që arrij të nxjerr nga goja, është pyetja:
– Pse e quan skllavëri këtë punë?
Burri më sheh në sy me habi. Kujton se gjithkush duhet ta dijë përgjigjen e kësaj pyetjeje. Kthehet ngadalë nga gruaja, pastaj, duke kaluar vështrimin tek unë, thotë:
– njeriu nuk mund të jetë kurrë i lirë pa sigurinë ekonomike. Ne jemi të uritur e pa punë, ndaj ajo që bëjmë nga mëngjesi në mbrëmje, përveç mbledhjes së plehrave, është nënshtrimi!
U godita nga ato fjalë. Nënshtrimi, një shoqëri e skllavëruar në kufijtë e mbijetesës, është guri i themelit për shoqëri meskine. Sa dhimbje e dinjitet në ato fjalë, në atë qëndrim të atyre njerëzve që me përulje, kërkonin të jetonin në këtë botë pa lypur borxh e pa i rënë më qafë askujt. Iu luta t’i merrja shënim emrat, e nisa t’iu shpjegoj diçka në lidhje me nismën e Qendrës Eper edhe në qytetin e Korçës. Sytë e gruas vezulluan veç një çast. Ma tha emrin e saj, e menduar, e më pas edhe të burrit. Nuk u interesuan të dinin më tepër, si duket të zhgënjyer më parë nga premtime boshe, ose të lodhur nga pritje të gjata që nuk dilnin kurrë në përfundime të mira.
– Askush nuk lind në këtë botë për të qenë skllav ose njeri i pasur, – mërmërita dhe u shkëputa prej tyre, me premtimin ta bëj publik këtë rast. Ato dy jetë, të ngjashëm me rastin e shumë të padukshmëve të tjerë, që gjurmojnë kazanët ditë e natë, meritojnë më tepër. Gjithçka duhet të dalë në sipërfaqe, dhe ky komunitet njerëzish të ndershëm e të thjeshtë, është nevoja të ketë dinjitetin dhe vëmendjen e merituar, nga institucionet dhe shoqëria ku jetojmë.

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit