MË MUNGON,O SHOKU IM!
Si sot,më 9 mars 1996,babai buzëqeshi,lëshoi kokën anash në duart e mija dhe u largua,iku lart. I qetë,i ri,i pa sëmurur kurrë, veç ca aspirina piu në jetën e tij të rregullt dhe dinjitoze.
Nuk janë përvjetorët ata që na shtyjnë në kujtime e mallëngjime. Prindërit,deri sa të bashkohemi me prindërit,i kemi para syve dhe mendjes çdo ditë. Eshte një lidhje kaq e fortë,si p.sh lulja me aromën,bleta me mjaltin,dielli me rrezet…
Unë gjithnjë babain e sjell në kujtesë vetëm të qeshur. Më janë fshirë portretet serioze të atij burri serioz. E mbi këtë ngrohtësi që na përcillte,më shumë për të më vjen fjala “shoku im” se sa “ati im.”
Sot sa hapa sytë m’u shfaq babai në kohën kur qemë studentë unë,vëllai dhe…po,po,dhe babai. Ai profesionalisht ishte usta në financë,por nga që drejtonte kaq e kaq ekonomistë sedra e shtyu të mbaronte universitetin. Dhe ne,tre shokët,majin e qershorin në provime e në korrik,me nga një birrë darkave flisnim për shkollën.
-Matematika më lodhi ca se kisha kohë që isha shkëputur,-thoshte babai.
-Kimia organike një tmerr,-ia priste vëllai.
Unë heshtja me qëllim. E dija që do më ngacmonin. Dhe ia nisnin:
-O Gim,po quhet shkollë kjo jotja që të bije në provim David Koperfidi? Hahaha,ne po e shohim film për qejf,ti e ke provim.
Nuk u flisja. Gëzohesha që kishim kaluar 18 provime të tre. Isha i ngrohtë që shtëpia kishte tre çuna.
Shpesh me vëllain e prisnim kur dilte nga zyra dhe shkonim bashkë në shtëpi. Ne ec e shiko gocat e bukura te Korcës. Ia bënim me shenja njëri tjetrit. Por na duhej të pickonim dhe babain se i mbeti edhe atij koka anash e prapa. Epo,i ri qe,veç 40 vjeç ato mote. E shtrengonim nga krahët dhe e mbanim fort. Ai qeshte e thoshte në keto raste të njëjtën fjalë:”Se mos bëni intriga për mua kur të shkojmë tek jot ëmë!”
I kujtoj sot pas 25 vitesh e i kam të freskëta detajet,fjalët e nënkuptimet. Vjen një ditë e babai ikën,normal. Por të ikë në moshën e duhur. Se më mungon sot babai plak,babai i moshuar,ai me bastun,me kollitje të lehtë,babai që harron ca gjëra kur flet. Ike shpejt,baba,ike dhe nuk na le të të tregonim sa të duam dhe sa do kujdeseshim për ty. Pse? Pse?

