Wednesday, November 6, 2024
spot_img
HomeOpinionPse ikim? Nga Arian Galdini

Pse ikim? Nga Arian Galdini

Pse ikim?

Nga Arian Galdini

Ajo që më bie në sy ngahera në vendin tim, në vendin tonë, është se ne të gjithë bëhemi shënjestër pyetjesh që ia bëjmë vetes a na e bëjnë të huajtë, se përse mendojmë të ikim nga ky vend.

Ndërkohë asnjëherë nuk kemi bërë e as nuk na kanë bërë pyetjen zanafillore: A e kemi bërë ne Shqipërinë, vendin tonë?

Pandehma ime është se ne e kemi parë ndër shekuj këtë vend si strehë, por jo si shtëpi.

E kemi trajtuar tokën si varrezë, e jo si kujtesë e as si aspiratë.

E kemi njohur njëri-tjetrin veç në lindje, dasma, morte dhe trallisje kafeneshë, e jo në bashkëpunime e bashkëndërtime.

E kemi shfrytëzuar tokën si truall, bukë e varrezë, e jo si hapësirë për të bashkëjtuar e zhvilluar.

I jemi dorëzuar varfërisë, duke mos iu falenderuar mundësisë.

Jemi dashuruar me të fortët, e kemi përçmuar të dobëtit e të virtytshmit.

Kemi admiruar hajdutët e batakçinjte, e kemi rrëzuar të mirët, të ndershmit e të urtët.

Kemi adhuruar të pushtetshmit, e kemi poshtëruar të talentuarit e të merituarit.

Shtetin e kemi ndërtuar si nevojë për tu sunduar, e jo si vizion e shpresë për tu zhvilluar e rritur së bashku.

Shtetarët i kemi kërkuar, ndjekur e dashur si Të Fortë që na nënshtrojnë, e jo si njerëz që mendojnë, të ditur e qëllim-mbarë që na shërbejnë e na bashkojnë.

Shqipërinë e kemi parë e jetuar si dënim, e jo si dhuratë, mundësi, shpresë e dashuri.

Prandaj jemi gatuar si ankimtarë që shajmë vetveten dhe vendin, e nuk bekojmë e as urojmë askënd e asgjë.

Lëvdojmë e i përulemi vetëm pasurisë dhe fuqisë, e nuk na hyjnë në sy më aspak vlerat, mundësitë, meritat, e idetë. Lëvdojmë e u dorëzohemi atyre pak që kanë Fuqi e Pasuri, e nuk nderojmë shumicën që ka mundësi dhe pakicën që ka dritë e dije.

Ndërsa Shqipërinë e kemi jetuar si dënim, Të huajtë i kemi hyjnizuar si ‘E bukura jashtë Kangjellave’.

Prandaj ikim.

Ikim sepse nuk e kemi bërë Shqipërinë tonë, realisht vendin tonë. Ikim sepse Shqipërinë e shohim vetëm si varrezën e të parëve, por jo si shtëpinë e të tashmes dhe së nesërmes.

Ikim sepse edhe zhvillimin e sotëm e shohim si ndërtim pallatesh. Ndërtojmë pallate e qendra biznesi pafund. Zhvillimin e kemi përtypur si tulla e llaç që na bëjnë streha të mëdha a të vogla, luksoze a të ububushme. Me pak fjalë edhe zhvillimin e shohim si ndërtim varrezash të reja ku ne banojmë por nuk jetojmë. Streha që sipas gjendjes që kemi i ndërtojmë me luks brenda kur e dimë që çdo gjë është për ibret jashtë, apo si shumica që kanë mjerim brenda e dorëzim jashtë. E nuk na bën më përshtypje asgjë. Ca ngrefosen se ia kanë dalë, të tjerë gafurren pse nuk po u ecën, ndërsa shumica ulin kokën duke e pranuar të keqen si natyralitet. I shtyjmë ditët e jetës në këtë çudi pa çudi, e nuk e kuptojmë as përse jetojmë. Faraonet e Egjiptit varroseshin në Piramida a varre gjigande me gjithë shpurën e pasurinë e tyre. Ne varrosim shpresën në llaçin e tullat e zhvillimit tonë, sepse aty në ato ngrehina është pasuria e vetme që kemi që na strehon ne, banon me ne e mbetet pas nesh si një varr i hapur.

Nuk ushqejmë e nuk lejojmë krijueshmërinë, gjeninë, talentet që janë ndër ne që të na shfaqen e të na ravijëzojnë një të shkuar, të sotme e të nesërme ndryshe. Edhe zhvillimin nuk e lejojmë të vijë si fryt i imagjinatës dhe gjenisë njerëzore, por e pranojmë dhe e gozhdojmë si matricë betoni, si varrezë.

Imagjinatën dhe gjeninë njerëzore nuk e lejojmë as në Shtet, as në Institucione, as në media a biznese. Madje as në art.

Matricat i kemi te panegociueshme. Të gjithë të ngujuar në mendësinë e varrezës. Shteti si varrezë, institucionet si varreza. Mediat si horror psikedelik. Arti si përçartje dhe limonti masive.

Ikim sepse kemi tradhëtuar e dorëzuar veten, e jemi tradhëtuar e dorëzuar nga ata që duhet të na hapin sytë e të na shpjegojnë të vërtetat. Ikim, sepse e dimë që varrezën mund ta vizitosh me lule e veshje të bukura edhe njëherë në vit. Strehën edhe mund ta kyçësh a braktisësh.

Tek e fundit, ‘matanë kangjellës’, Ata, të huajtë, kanë shtëpi, jetojnë. Ata nuk shtyjnë ditët si bëjmë ne këtu. Ata jetojnë, shijojnë, shprehen, shfaqen, shpallen, veçohen, bëjnë ç’të duan për të jetuar. Ndërsa ne këtu e kemi bërë jetën si ushtri, shtyjmë ditët, nuk shijojmë sepse shtiremi, nuk shprehemi sepse dëmtohemi, nuk shfaqemi sepse baltosemi, nuk shpallemi sepse sulmohemi, nuk veçohemi sepse harrohemi.

Kështu që ne sipas dëshirës e botëkuptimit, ose shkojmë e ndërtojmë shtëpinë tonë andej, ose shkojmë e vjedhim shtëpitë e Atyre. Kush ndërton shtëpi andej, vjen 1 herë a 2 herë në vit në varrezën këndej.

Kush vjedh shtëpi andej, vjen e bëhet i nderuar, i admiruar, seksi, cool, trendy dhe i fuqishëm, këndej.

Pse ikim? Sepse këtu nuk kemi Shtëpi. Sepse andej mund të vjedhim Shtëpi, ose ndërtojmë Shtëpi. Sepse, këtu lodhemi edhe duke duruar edhe duke u nënshtruar, për të mbijetuar e për tu zvarritur. Andej së paku lodhemi për tu ndërtuar e realizuar. Këtu jeta të ndryshon vetëm nëse të bie telebingo, nëse bëhesh hajdut, nëse bëhesh bythëlëpirës i të fuqishmëve, ose nëse shkon matanë kangjellave e vjedh shtëpitë andej, për tu sorollatur e bërë jetë nate e luksi këndej.

Andej jeta të ndryshon nëse punon e ndërton. Këtu jeta nuk të përmirësohet, thjesht durohet. Andej jeta të ndryshon, ditë pas dite nëse ti e dëshiron dhe e kërkon ndryshimin nëpërmjet punës e zotësisë. Këtu nëse vlen e ke dije, mend, virtyte e talente, je Asgjë. Këtu nëse je hajdut, mashtrues, batakçi, i fortë, i pushtetshëm, je Gjithkushi. Andej, nëse vlen, ke dije, mend, virtyte e talente, edhe mund tia dalësh mbanë e të bëhesh dikushi. E sigurtë është që edhe nëse nuk bëhesh dikushi, së paku bëhesh me shtëpi.

Andej, nëse je hajdut, mashtrues, batakçi, i fortë, i pushtetshëm, je si gjithkushi por je edhe në kërkim dhe i urryer. Prandaj ikim. Ikim sepse këtu është gjithçka përmbys. Ikim sepse duam shtëpi dhe të nesërme.

Këtu nuk kemi as shtëpi e as të nesërme, prandaj merremi e konfliktohemi vetëm me/për varret e të parëve. Ngase nuk kemi shtëpi këtu, Qeverisemi nga ata që na prishin, a ndërtojnë varre të të parëve. Shpenzojmë energji, kohë, konflikte, debate vetëm për varret, e nuk u japim fare hapësirë e kohë ideve e projekteve për ‘Shtëpitë’ dhe të nesërmen. Ngase nuk kemi Shtëpi, e bëjmë shurrtore e pështymore çdo ambjent privat e publik. Dhe gëzohemi, krenohemi a zemërohemi, kur ata që na sundojnë, ia nisin punës me çështje kaq serioze siç janë pshurrja dhe zhuli ynë i përditshëm. Askush nuk shpall Projekte për të na ndërtuar Shtëpi. Të gjithë administrojnë e sundojnë bazuar në huqet e hallet tona si të pavend e të pashtëpi që jemi. Prandaj dështojmë këtu, e duam të ikim. Sepse andej edhe nëse je mediokër, je me shtëpi. Këndej nëse je mediokër bëhesh Ministër e Udhëheqës Partie. Ikim sepse nuk na tregojnë e as na ushqejnë me shpresën se një ditë këtu do të kemi Shtëpi. Ikim sepse të gjithë na qeverisin e sundojnë duke na cunguar, a lejuar huqet e hallet tona si mbijetojsa me strehë në Shqipëri. Sundojnë duke luftuar informalitetin tonë, e nuk na japin përgjigje e as zgjidhje për anormalitetin e përditshmërisë sonë. Ikim, sepse edhe ata që bëjnë Opozitë, na tregojnë se cilat huqe a halle na janë lejuar a penguar, e nuk na tregojnë ‘Gurët e Kufinit’ ku ne mund të kemi tokë, shtëpi, katandi, shpresë e të nesërme. Ikim sepse ata që na Qeverisin, na sundojnë. Ndërsa ata që janë në Opozitë, mezi presin tu vijë dita të na sundojnë. Ikim, sepse duam shtëpi, shpresë e të nesërme. Ikim, sepse këtu kemi streha e nuk kemi ujë e drita.

Ikim, sepse ikja është më e ëmbël dhe më e mirë se durimi.

Arian Galdini

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments