Rëndësia e zgjedhjes së gjyqtarëve
“Sot na bën të qeshim aforizmi i dashur për doktorët e mesjetës res iudicata facit de albo nigrum e de quadrato rotundum* : por, nëse do të mendoheshim mirë, duhej të na bënte të dridheshim. Gjyqtari, bash si ai magjistari i përrallës, ka pushtetin mbinjerëzor që të zhvillojë në botën e së drejtës metamorfozat më të përbindshme dhe t’u japë dyshimeve pamjen e amshuar të së vërtetës. Dhe, meqë simbas mendjes së tij, vendimi dhe e vërteta në çdo rast duhet të përputhen, kur vendimi nuk i përshtatet së vërtetës, gjyqtari mund ta tkurrë të vërtetën deri në përmasat e vendimit.
Në burg, Sokrati u shpjegonte shtruar dishepujve të tij, me një gojëtari që kurrë ndonjë jurist nuk ka ditur t’i qaset, cila është arsyeja më e lartë shoqërore që na dikton, deri në sakrificën e mbrame, ta respektojmë një vendim gjyqësor, edhe pse mund të jetë i padrejtë: shndërrimi i një vendimi në gjë të gjykuar, ashtu si flutura që del nga fshikëza, kërkon që të çvishet nga motivet dhe, nga ky çast, ai nuk mund të cilësohet më si i drejtë apo i padrejtë, përderisa është paravendosur që, tash e tutje, ai do të përbëjë pikën e vetme dhe të pandryshueshme të referimit ku njerëzit duhet të kthejnë sytë për të kuptuar se cila ka qenë, për atë rast, fjala zyrtare e drejtësisë.
Është kjo arsyeja që për shtetin përbën ndjeshmëri thelbësore problemi i zgjedhjes së gjyqtarëve: pasi ai e di se u ka besuar një pushtet vrastar që, nëse do të keqpërdoret, mund ta bëjë të padrejtën të drejtë, ta shtrëngojë madhështinë e ligjit aq sa t’i dalë krah të shtrembërës dhe ta damkosë fytyrën e dëlirë të pafajësisë me vulën gjakësore që nuk do të lejonte kurrë të dallohej se ku mbaron ligji dhe ku fillon krimi.”
(*) Gjëja e gjykuar e bën të bardhën të zezë dhe katrorin rreth (latinisht në origjinal).
Piero Calamandrei, Elogio dei giudici, scritto da un’avvocato, Ponte alle Grazie, 2008
shqip në fb © Henrik Ligori
@NewsIn.Al

