Aktori i humorit Albano Bogdo ka folur sërish hapur për përballjen e tij me problemet e shëndetit mendor, duke zbuluar detaje tronditëse nga periudha kur vuante nga ankthi dhe ataket e panikut.
Në një rrëfim të sinqertë, Bogdo tregon se ishte producenti i “Apartamenti 2XL”, Turjan Hysko, ai që e ndihmoi të kërkonte ndihmë profesionale, duke e çuar fillimisht te një psikologe dhe më pas në spitalin psikiatrik nr. 5.
Aktori pranon se në fillim kishte frikë të madhe të hynte në spital, pasi mendonte se do ta mbyllnin brenda dhe nuk do ta lejonin më të dilte. Madje, herën e parë, vizita nga mjeku u bë brenda makinës së Turjan Hyskos, pasi Bogdo refuzonte të hynte në ambientet e spitalit.
“Kur më thanë tek 5-a, i thashë: ‘Tek kush 5-se do shkoj unë? Do të më mbyllni brenda, e di që s’do më lini të dal’. Kisha dëgjuar që të lidhnin”, rrëfen ai.
Herën e dytë, aktori vendosi të hynte në spital dhe përjetimi ishte krejt ndryshe nga frika që kishte ndërtuar në mendje. Ai shprehet se pavioni ishte normal dhe aspak si skenat e frikshme që shfaqen në filma.
“Dera ishte me çelës, doktori më tha: ‘Janë 20 mjekë brenda. E mbyllim derën vetëm që askush të mos dëmtojë veten’. Qëndrova një orë aty dhe m’u mbushën sytë me lot. Kuptova sa me fat jam. Kisha sëmundjen më të lehtë nga të gjithë”, tha Bogdo.
Aktori thekson se kishte vite që vuante nga ankthi, i cili me kalimin e kohës ishte përshkallëzuar në atak paniku, një gjendje që sipas tij është ndër më të vështirat për t’u përballuar.
Në një rrëfim të mëparshëm, Bogdo ka treguar gjithashtu se për shkak të panikut, në disa shfaqje të “Apartamenti 2XL” nuk ka arritur të dalë në skenë.
“Sa më anonçohej emri, unë nuk dilja në skenë. Dilja nga godina dhe ikja drejt spitalit. I kisha rrahjet e zemrës 160-170, tensionin shumë të lartë. Më vizitonin gjithmonë për zemrën, por nga zemra s’kam asgjë”, ka treguar ai.
Bogdo shpjegon se për vite me radhë simptomat e tij janë keqinterpretuar, duke e çuar në analiza të shumta për zemrën dhe tiroide, derisa më në fund u kuptua se problemi ishte psikologjik.
“Unë i thosha: nuk kam gjë nga mendja, e kam nga zemra. Nuk kishte lidhje me turpin, ishte mosdije”, shprehet aktori.
Rrëfimi i Albano Bogdos vjen si një mesazh i fortë ndërgjegjësues për rëndësinë e shëndetit mendor dhe domosdoshmërinë e kërkimit të ndihmës profesionale, pa paragjykime dhe pa frikë.
@NewsIn.Al
