Shqipëria, Eurovizioni, balta dhe kritika muzikore
Me rastin e paraqitjes përfundimtare së këngës fituese, të festivalit të 60-të në Eurovizionin e ardhshëm, që do të mbahet në Torino, u rindezën komentet dhe kritikat.
Në këtë pikë, duhet theksuar sërish se kritikë me kritikë dhe koment me koment, ndryshojnë dhe nuk e shohim situatën të gjithë nga i njëjti këndvështrim.
Në asnjë rast nuk duhet të na shqetësojnë dhe të kritikohen, trupi, kilogramet, veshja,flokët, jeta personale, origjina e saj etj në këtë mënyrë vulgare. Kjo nuk është kritike apo mospëlqim ndaj këngës. Është diskriminim, bullizëm dhe kafshëri që nuk ka vend në debatin publik të një vendi të qytetëruar.
Kemi për detyrë të kritikojmë aftësitë vokale të këngëtares, tekstin krejtësisht të kotë, orkestrimin e këngës, mekanizmin që e shpalli fituese atë dhe në përgjithësi industrinë muzikore shqiptare, e cila pavarësisht traditës dhe artistëve që ka me arsim akademik muzikor, prodhon ende “mbeturina muzikore”.
Dhe për të qenë të qartë, ne nuk duam të censurojmë asnjë artist. Secili është i lirë të prodhojë çfarëdo këngë që dëshiron. Por shprehim mosmarrëveshjen tonë kur një këngë e këtij niveli do të marrë pjesë me ngjyrat kombëtare, duke përfaqësuar vendin në një kompeticion ndërkombëtar që ndiqet nga miliona njerëz.
Personalisht nuk kam asnjë inat, mllef, ose problem me këtë vajzë. Përkundrazi madje, ndjej një farë simpatie që arriti të realizojë ëndrrën e saj. Problemet i kam me sistemin që e promovoi dhe me ata që e dërguan në Torino. Fundja, është e drejtë e saj për të kënduar dhe e drejta ime për të shprehur mendimin tim. Gjithmonë me mirësjellje dhe brenda standardeve muzikore. Kurrë jashtë tyre.
Së fundi, një gjë tjetër që më shqetëson janë të ashtuquajturat komente profesionale dhe kritikat e hidhura, të kompozitorëve, tekstshkruesve dhe këngëtarëve të tjerë, të cilët ose kanë fituar festivale të mëparshme me këngë po aq të dobëta, ose marrin pjesë vetë me ndonjë “mbeturinë muzikore” për të na përfaqësuar në Eurovizion. Njerëz xhelozë që pikojnë ligësi dhe që kanë ndihmuar me mënyrën e tyre në degradimin e muzikës shqiptare. Duke na thënë: ngrihu prift të ulet Hoxhë.
Prandaj po ju them, nuk jemi të gjithë në të njëjtën anë të lumit. Kemi dallime dhe botëkuptime të ndryshme përpara se të arrijmë tek kritika e X kënge ose Y këngëtari, si psh. ndryshimi rrënjësor i industrisë së muzikës bashkëkohore shqiptare, rindërtimi i Festivalit dhe mënyra e përzgjedhjes së këngës për Eurovizionit. (A.I.Sulioti)
@NewsIn.Al

