➡️Si sot, më 13 janar të vitit 1871, lindi në qytetin e Korçës shkrimtari, publicisti dhe luftëtari i lirisë Mihal Grameno.
➡️Për të nderuar figurën e shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Mihal Grameno, Biblioteka shpall vitin 2026 si “Viti i Mihal Gramenos”, në kuadër të 105-vjetorit të themelimit të bibliotekës, 155-vjetorit të lindjes dhe 95-vjetorit të ndarjes nga jeta të një prej figurave më përfaqësuese të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
➡️Ky vit do të shënohet me një sërë aktivitetesh kulturore dhe edukative, të cilat synojnë rritjen e ndërgjegjësimit për trashëgiminë e tij kulturore, si dhe për kontributin e vyer në formimin e identitetit kombëtar shqiptar.
➡️Mihal Grameno (1871–1931) ishte shkrimtar, publicist dhe luftëtar i lirisë, një intelektual iluminist që e jetoi fjalën dhe veprën si mision kombëtar. Me penë dhe me pushkë, ai kontribuoi në zgjerimin e ndërgjegjes kombëtare, në mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe në afirmimin e idealeve të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor. Veprimtaria e tij letrare, publicistike dhe atdhetare u shtri në Shqipëri, Rumani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e bërë Gramenon një figurë me dimensione mbarëkombëtare.
➡️Nëpërmjet gazetave “Lidhja Orthodokse” dhe “Koha”, si edhe përmes krijimtarisë së tij letrare e publicistike, ai u shndërrua në një zë të fuqishëm kundër pushtimit osman dhe propagandave antishqiptare, duke kontribuar drejtpërdrejt në formimin e mendimit demokratik shqiptar.
Pas shpalljes së Pavarësisë, Mihal Grameno mbështeti ndërtimin e shtetit të ri shqiptar, duke mbetur deri në fund të jetës një ndër zërat më të ndërgjegjshëm të kombit për liri, drejtësi dhe qytetari.
#bibliotekadestinacioniim
#bibliotekaekorces
#mihalgrameno

@NewsIn.Al

