Nga poeti i mirënjohur korçar Artur Balli po postojmë një poezi “të vjetér” e cila nuk ka ndonjë lloj ndjeshmërie ndaj realitetit dhe gënjeshtrës, bile, hera herës, ato i duken e njéjta gjë….
KANIBALI
Ndoshta, s’keni aspak për të besuar
Por, ja që çuditë, ndodhin, në jetë:
Një kanibal dhe një europian,
Pas një furtune, në oqean,
U gjendën papritur e pakujtuar,
Në brigjet e një ishulli të shkretë.
Nevoja, i bashkoi menjëherë
Sapo kureshtjen te njëri tjetri shuan:
I bardhi – i bukur, lëkurlëmuar,
I egri – përbindësh, i shëmtuar.
Nën hije, poshtë një peme të gjerë,
U ulën dhe bisedës ja filluan.
Për gjahun në pyll, luftën me shigjeta,
Tregoi kanibali kaq marifete,
Pastaj, frymëndaluar, gjithë habi,
Dëgjoi të bardhin, të fliste për ushtri,
Për topa edhe tanke, për raketa,
Që vrisnin njerëz, rrafshonin qytete.
Dhe ndërsa fliste për armë e strategji
I bardhi kanibalin kish shastisur
–Por,ti s’kupton,- i tha – o i egri im,
Se pyllin veç njeh, e s’ke qytetërim!
Kanibali, si t’i kishin bër’ magji,
Ju kthye syshqyer, i lemerisur :
-Ju vrisni mijëra njerëz… kështu the?!-
Dhe fjala i mbeti të egrit në gojë.
-Po ju…ju, kucedra qënkeni, lubi!
Ne, me zor hamë, gjith’ fisi, një njeri!-
-Të vrarët, s’i hamë, i futim në dhé,
I varrosim, – nxitoi tjetri të shpjegojë.
-…As të vrarë s’i hani, as të gjallë?!
(Këtë radhë, kanibali, u trullos)
-Pra, bëkeni ju luftra e vrisni plot,
Pastaj, i kallni në dhé, kot e më kot…
Po ç’farë lloj barbarësh qënki vallë
Ju, që vrisni pa ndonjë qëllim serioz!!
*Artur Balli*
@ NewsIn.Al

