KreuBotaNuk kam frikë një ushtri LUANËSH, që drejtohen nga një DELE! Kam...

Nuk kam frikë një ushtri LUANËSH, që drejtohen nga një DELE! Kam frikë një ushtri DELESH, që drejtohen nga një LUAN…! (Aleksandri i Madh)

Nuk kam frikë një ushtri LUANËSH, që drejtohen nga një DELE!
Kam frikë një ushtri DELESH, që drejtohen nga një LUAN…!
(Aleksandri i Madh)

Aleksandri i Madh…

Shkruan Dorian Koçi

Në natën mes datës 20 dhe 21 Korrik, në Pelas, të vitit 356 P.K lindi Aleksandri i Madh-heroi më i madh kulturor i njerëzimit.

Buqefali u ngrit hov përpjetas me të dy këmbët. Turfulloi, hingëlliu ethshëm, ra poshtë dhe u kthye mbrapsht. Aleksandri e cyti lehtas që të kthehej drejt brigjeve të lumit, por Buqefali vazhdoi në të tijën. Matanë nëpër kodrat e buta të luginës së gjerë, nxinin kokat e zeshkëta e njerëzve që e kundërshtonin. Kishte kohë që e vriste mendjen sesi t’i quante ata njerëz. E dinte fort mirë që ata e quanin pushtues, por ai s’kish dashur asnjëherë t’i trajtonte si të mundur. Shumë bashkëkohës, përfshirë dhe filozofë të mëdhenj i kishin shprehur njëlloj si njerëzit matanë lumit, synimet dhe motivet e ngarendjes së tij drejt Hindit, madje duke përmendur të gjitha tundimet e kësaj bote: pushtet, femra dhe para.
Në fakt, nuk kishin asnjë faj. Të gjithë rendin drejt të mirave të prekshme, materiale dhe shpirtërore, ndoshta dhe ai e kish ndjerë këtë tërheqje në fillim, ndonëse më vonë në vetminë e tij, aty në çadër, fill pas fushimit të parë, ndërsa shfletonte Kryekëngën e këngëve “Iliadën”, që e mbante poshtë nënkresës, qe pushtuar nga mendime të tjera. Buqefali turfulloi sërish. E njihte prej kohësh kalin e vet, gat-gati i dukej sikur kishin lindur bashkë. I njihte çdo shenjë dhe ogur që kumtonte, që nga jelet që në luftë i ndizeshin zjarr e deri tek patkonjtë që lëshonin xixa, ndërsa përplaseshin në armatura dhe helmeta. E pra, fati i tij qe paracaktuar kohë më parë. Udhëtimi i tij kish qenë deri këtu, në brigjet e këtij lumi. Më kot të dërgonte korrierët e shpejtë deri në Dodonë, Buqefali nuk mund të gabonte. Ndjeu papritur se po këputej, u lëshua poshtë dhe trupi iu mbush gjithë zjarrmi. Ndjeu që e futën në çadër, e vendosën mbi krevat dhe të gjithë komandantët e vet, i rrinin mbi kokë duke pëshpëritur pyetje të pafundme mbi fushatën, të ardhmen e mbretërisë, të vendeve dhe të popujve. Ai i dëgjonte dhe vetëm heshtte. Nuk i bëhej të fliste dhe në mendje i vinte dialogu me profesorin e vet, filozofin Aristotel, para se të niste fushatën.
– Po nisem, Mësues për të shkatërruar e dërmuar persët. Do ta kap rob Darin dhe do ta rrënoj Persepolisin. Pas urnave të zjarrit do ta plugoj si Troja për të mos u ringritur më. Filozofi Aristotel ishte vrenjtur dhe e kish ndërprerë me një pyetje. – Kush është më i rëndësishëm, kush jep jetë Aleksandër? Shpata, zjarri apo libri?
Nxënësi Aleksandër ish menduar për një çast dhe sa qe matur të fliste, mësuesi e kish ndërprerë duke i thënë: – Mos ma jep tani përgjigjen, sepse kjo është një pyetje e përjetshme. Gjyko gjithë jetën dhe para se të ndjesh shenjat e Dodonës që do të këputet filli i jetës, përgjigjen lërua testament pasardhësve. Unë e di që nga kjo luftë t’i do të shndrrohesh në një hero, Orakulli i Dodonës s’mund të gabojë në profecitë e veta…

Mjekët i rrinin gjithmonë mbi krye. Aleksandri u përmend, kërkoi pak ujë dhe u ngrit me dy duart mbrapsht në shtrat. U bëri me shenjë njerëzve të vet t’i vinin afër. Të gjithë u turrën për të mësuar fjalët e tij të fundit. Rojet me heshtat kërcënuese mundoheshin të mbanin sa më tepër rregull. Aleksandri mori frymë thellë, kujtoi bisedën që i ishte shfaqur pak çaste më parë në jerm, zgjati dorën poshtë nënkresë dhe nxorri Iliadën e Homerit. Ua dorëzoi në duar të tjerëve dhe aty nën peshën e përgjigjes së pyetjes së mësuesit dha shpirt. Njerëzit rreth e rrotull përloteshin, ngrinin supet dhe shikonin hartat e mëdha të mbretërisë nga Pelas në Persepolis. Pyesnin njëri-tjetrin se çdo të bëhej me gjithë ato territore, fise dhe vende, si do të ktheheshin në atdhe e çdo bënin me skllevërit e shumtë. Mes gjithë asaj potere dhe kaosi vetëm një njeri e kish ndalur përlotjen, kish marrë “Iliadën” nën sqetull dhe po ikte për te çadra e tij. Ku po shkon Ptoleme? Na jep një përgjigje për gjithë këto halle që na ranë mbi kokë. – E pyetën mikun besnik të Aleksandrit. – Po iki në Aleksandri të zbatoj testamentin…

Suplementi Milosao 9.08.2015, fq 19 @NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit