Ndonëse më dhemb shumë Skënderbeu, këtu nuk është fjala vetëm për të.
Pse duhet të jetë ky nivel gjykimi në kampionatin tonë?
Çdo fundjavë shohim ndeshjet e Superligës në futboll dhe pas çdo ndeshje dëgjohet i njëjti refren -“gabim, po nuk e pa mirë”, “edhe ishte, edhe s’ishte”, “punon VARI, s’ punon VARI”, “I fali arbitri se kompesoi golin që anulloi”, “ishte penallti, po një moment nuk ishte”…etj, etj…
Si korçar që jam dua të drejtoj një pyetje që e bëjmë shpesh me miqtë : Pse shumica e “gabimeve njerëzore” ndodhin kundër Skënderbeut? Sa pikë i janë mohuar deri tani? Kush është i interesuar që ta shohë Korçën jashtë futbollit si Elbasanin, Vlorën, Beratin, Kavajën, Lushnjën, apo Gjirokastrën?
Sa më të lehtë t’ja u bëjmë fitoret e pamerituara ekipeve të përkrahura nga arbitrimi , aq më shumë do vazhdojmë të kemi këtë përfaqësim në Europë në kupat e saj.
Futbolli shqiptar…mbetet, i mbyturi më i bukur në botë!
Futbolli përpëlitet duke ofsharë me trishtim, FSHF jo … revoltohet, vidhet, satirizohet, FSHF jo … futbolli thërret, ulërrin, dhemb, FSHF nuk dëgjon… futbolli varfërohet, lojtarë nuk paguhen, FSHF pasurohet e nëpunësa shpërblehen …futbollit i dëbuan sportdashësit, i dënuan, i braktisën, FSHF lëpin kollaret… Futbollin e mohuan ata që kurrë nuk e panë si sport. E braktisën, e fyen, sepse paaftësia veç këtë aftësi ka.
Kthejuni dinjitetin ekipeve, sportdashësve… edhe stadiumeve, rregullave, respektit të lojës e lojtarëve! Kthejini bukurinë që i grabisni çdo ditë futbollit dhe qytetarëve. Dënojini sahanlëpirësit me bilibila në gojë! Të gjithë ne duhet “të mësojmë” nga ata që na diktojnë dhe vendosin rregullat për futbollin tonë, paçka se po të dëgjosh ”huliganët” shqiptarët, këta drejtues i etiketojne si ” vrasësit” më të mëdhenj të këtij futbolli…

ILIR JANO
@NewsIn.Al

