HomeOpinionReagimi i gazetares për krimin makabër të ndodhur dje në rrethin e...

Reagimi i gazetares për krimin makabër të ndodhur dje në rrethin e Fierit.

Shkruan gazetarja e RTSH Korça Erjona Pambuku.

Dje me një grup djemsh e vajzash, të gjithë 17 – vjeçarë ishim duke diskutuar mbi shkrimin e penës së artë V. Hugo mbi dënimin me vdekje, disa pro e disa kundër me argumenat e kundërargumentat e tyre. Në mbrëmje një lajm makabër më tronditi…hodha sytë nga im bir vetëm 8 vjeç, e njëjta moshë me djaloshin që nuk frymon më…
U rrënqetha dhe e rilexova Hygoin, por kësaj here ndryshe…
” Dënimi me vdekje” VIKTOR HYGO
“Ata që gjykojnë e ndëshkojnë, e quajnë të nevojshëm dënimin me vdekje. Së pari, thonë ata, ngaqë ka
rëndësi t’ia shkëpusësh bashkësisë shoqërore një anëtar, i cili e ka dëmtuar, dhe që mund ta dëmtojë ende. Bukur, nëse është fjala për kaq, burgu i përjetshëm do të mjaftonte. E ç‘rëndësi do kishte vdekja? Por ju na kundërshtoni duke thënë që ka arratisje nga burgu! Atëherë zotërinj, bëjeni mirë mbikëqyrjen tuaj! Nëse nuk u zini besë fortësisë së kangjellave të hekurta, e si guxoni të keni atëherë burgje?
S’është nevoja për xhelat aty ku mjafton rojtari i burgut. Por na thoni, nga ana tjetër, lypset që shoqëria të marrë hak, që shoqëria të ndëshkojë? Jo, kurrsesi, as njërën, as tjetrën! Hakmarrja vjen nga individi, ndëshkimi vjen nga Zoti. Shoqëria është midis të dyve. Ndëshkimi qëndron mbi të, hakmarrja nën të. Asgjë kaq e madhe dhe kaq e vogël nuk i shkon. Ajo s’ka pse “të ndëshkojë për të marrë hak”; ajo duhet të korrigjojë për të përmirësuar. Transformojeni në këtë mënyrë formulën e kriminalistëve dhe ne do ta pranojmë, do ta mbështesim.
Mbetet arsyetimi i tretë dhe i fundit, teoria e shembulldhënies. Duhen bërë shembuj! Duhen trembur njerëzit me anë të ekzekutimeve, për fatin që i pret kriminelët, të gjithë ata që do të orvateshin për të bërë të njëjtën gjë!…
… Po mirë. Para së gjithash, ne e mohojmë që këtu ekzistuaka shembulli. E mohojmë që shfaqja e ekzekutimit shkakton efektin që pritet. Jo vetëm që popullit nuk i hapen sytë, po, përkundrazi, demoralizohet, i shkatërrojnë në vetvete çdo ndjeshmëri, madje çdo virtyt. Provat janë të shumta dhe do ta bllokonin krejt arsyetimin tonë, po qe se do t’i përmendnim. Megjithatë, po japin një fakt, ndër pesë mijë të tjerë, ngaqë është i kohëve më të fundit. Nga çasti që po shkruajmë, nuk kanë kaluar as dhjetë ditë. Është rasti i 5 marsit, dita e fundit e karnavaleve. Në Sent-Pol, menjëherë pas ekzekutimit të një zjarrvënësi të quajtur Lui Kamy, një grup njerëzish me maska zunë të hedhin valle përreth podiumit që ende po tymonte. Hë, pra, jepini shembujt! Dita e fundit e karnavaleve ju qesh nën buzë.”

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments