Shqipëria ka ndryshuar, politika jo.
Shqipëria ka ndryshuar shumë nëpër vite. Ndryshimet mund ti atribuohen pjesërisht politikës por më shumë guximit, iniciativës dhe vullnetit të shqiptarëve. Sidoqoftë modeli i të bërit politikë nuk duket të ketë ndryshuar shumë gjatë këtyre viteve dhe sot. Duket se kjo kastë politikanësh, kështu dinë të bëjnë politikë. Ky model prodhon vetëm konflikt, debat shterpë dhe sulme personale.
Si e re, nuk kam parë asnjëherë një debat politik brenda të cilit të ketë përballje idesh, alternativash, e platformash mes politikanëve. Prej kohësh politika shqiptare është shndërruar në një arenë të fortësh, ku nëse guxon ti cënosh rehatin një politikani të vjetër përballesh me një furtunë sulmesh e fyerjesh. A ka ardhur momenti që të kemi një zvëndësim të të vjetrës me të renë?
Unë besoj se po. Shohim pak rastin e z. Berisha. Në një vend normal, një politikan i përmasave të z. Berisha do të ishte larguar nga politika me rënien e shkëlqimit të tij në vitin 2013, dhe do ia kishte kursyer vetes sot një shfaqje të tillë, largimit të padrejtë me një lider opozite që ndonëse mori vendimin e duhur reagoi vetëm sepse këtë ia diktoi presioni ndërkombëtar. Lideri historik i demokratëve ka shumë merita por nuk mund të zhbëjë dot faktin se do të mbetet gjithmonë peng i gabimeve të së shkuarës. Gabime këto që sot ai po i paguan me një çmim të lartë.
Janë dhe shumë politikanë të tjerë, që nuk arrijnë dot të kuptojnë se politika kërkon risi dhe në pamundësi për të ofruar risi duhet të tërhiqen.
Duhet luftuar modeli i privatizimit të partisë, mbushja e partive me individë që binden verbërisht, që mbrojnë interesat vetjake, individët me reputacion negativ, sulmet, fjalori vulgar, kërcënimet dhe modeli i politikanit që i pason postin një politikani tjetër e ndërkohë në prapaskenë lojën dhe rregullat e saj i vendos vetë. Mbi të gjitha, duhet luftuar modeli i politikanit që kërkon të qëndrojë ad infinitum (pafundësisht) në politikë, edhe kur ai nuk ka më se çfarë ti ofrojë asaj.
Karriera politike e një politikani kalon në disa etapa, ka një fillim, një kulm dhe një fund. Sigurisht, e dimë të gjithë se asnjë politikan nuk preferon të largohet nga politika, sepse largimi shoqërohet me humbjen e postit, dhe të përfitimeve. Ky është gabimi fatal që çon në paralizimin e politikës shqiptare dhe në vend që të bëjmë para, kthehemi pas. Ndarja nga e shkuara i duhet dëshpërimisht sot politikës shqiptare, por duke mësuar nga gabimet e saj.
Nevojiten njerëz të rinj, me vizion, parime, dhe që besojnë vërtet në ideale. Nevojiten njerëz të rinj që krijojnë besim dhe shpresë tek shqiptarët se e nesërmja do të jetë më e mirë. Nevojiten njerëz antikomformistë, që guxojnë të flasin kur të gjithë heshtin, që ngrejnë debate konstruktive dhe përdorin argumenta logjikë, që nuk bëhen pjesë e marrëveshjeve të pista, që nuk nënshtrohen, apo shantazhohen e që besojnë se puna dhe aftësia janë themelet e një karriere të suksesshme, e jo servilizmi ndaj një individi me më shumë pushtet.
Futja e një modeli të ri në politikë kërkon prurje të reja, jo thjesht dhe domosdoshmërisht në moshë, por edhe në mentalitet. Politika shqiptare duhet të ndryshojë, për të mirën e saj, për të mirën e vendit dhe të shqiptarëve.
#NewsIn. Al

