Vitet e fundit po e dëgjojmë shumë shpesh fjalën krizë. Njerëzit shprehen se vendi është në krizë, ekonomia është në krizë, arsimi është në krizë, arti është në krizë, shëndetësia është në krizë, politika është në krizë. Fjala “krizë” është kryefjala e çdo dite. Dhe mjafton një analizë e thjeshtë për të kuptuar se kriza e përgjithshme ka emërues krizën në sistemin e vlerave.
Si është definicioni i krizës në sistemin e vlerave? Të refuzosh vlerat dhe të promovosh antivlerat ose mungesën e vlerave.
Kohët e fundit po shohim promovime individësh të cilët ose nuk kanë vlera fare ose nuk kanë mjaftueshëm. Ky vend ka plot figura intelektuale, profesionistë të mirë, drejtues të sprovuar, administratorë, individë me karriera të lakmueshme dhe eksperienca që stë lenë në baltë, të cilët kanë shumë se çfarë ti japin Shqipërisë nëpërmjet kontributit dhe vlerave të tyre. Por fatkeqësisht këta individë ndodhen në vendin dhe kohën e gabuar. Ndodhen sepse në Shqipëri meritokracia është thjesht një term fjalimesh. Sot ata që meritojnë të jenë në rreshtin e parë të kontribuuesve për ta bërë këtë vend më të mirë dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë, në fakt nuk ndodhen fare në sallë. Politika shqiptare është kujdesur gjithë këto vite të thithë ata njerëz që janë të gatshëm të mos i japin asgjë vendit, por ti japin gjithçka atij që kanë mbi kokën e tyre.
A ti hedhim një sy modelit që i jepet sot brezit të ri? A i jepet atij modeli konstruktiv i një të riu që duhet të punojë fort për të realizuar ambiciet personale dhe se kjo kërkon kohë, durim, vullnet dhe sakrifica? A të tregon se shkallët duhet ti ngjitësh një nga një, duke mësuar dhe njohur botën gjatë rrugës në mënyrë që të dish e të kesh ç’të japësh? A është sot një i ri i bindur se potenciali dhe aftësia do e nxjerrin nesër të suksesshëm në jetë apo edukohet që të zgjedhë servilizmin si mjet për të fituar? A edukohet ky brez me besimin se merita, integriteti dhe sakrificat janë shtyllat e një të ardhmeje të sigurt dhe të suksesshme dhe se pozicioni i pamerituar, servilizmi dhe prepotenca janë shtyllat më të këqija ku sabotimi i së ardhmes është i garantuar? Kam bindjen se jo.
Nuk është nevoja që disa gjëra të thuhen, sepse jemi dëshmitarë të çdo hapi që hidhet në këtë vend. Jemi dëshmitarë të krizës në sistemin e vlerave, me individë që marrin poste politike apo institucionale të pamerituara vetëm se janë lakej të përbetuar të atyre që i zotërojnë dhe u japin gjithçka pa meritë. Kjo është evidente kudo, në arsim, në shëndetësi, në politikë, në art e kudo. Emrat e shumë individëve që promovohen dhe u shtrohet rruga me asfalt janë emra të padëgjuar kurrë, për të mos vazhduar më pas me CV-të e tyre të mbushura me ndërrime postesh, pa asnjë ditë pune të vërtetë dhe pa asnjë eksperiencë të vlefshme. Askush nuk flet më për kontributet, karrierën, meritat, vizionet, punët, shkollimin. Cili është kontributi i këtyre individëve ndër vite, çfarë merita kanë, cili është vizioni i tyre, çfarë punësh kanë bërë dhe si i kanë bërë ato, cili është shkollimi i tyre?
Skanimi i vlerave përpara caktimit të një detyre apo emërimi tashmë është inekzistent, skanimi i vetëm që bëhet është ai i tiparit se kush shërben më mirë dhe kush sjell më shumë përfitime. Vitet ikin por Shqipëria vazhdon drejt regresit dhe më e keqja, kjo sa vjen e thellohet, njerëzit nuk reagojnë por e pranojnë këtë realitet me kokën të ulur. Disave nuk u bën përshtypje, disa pajtohen me këtë realitet, disa zgjedhin të heshtin e disa zgjidhje shohin largimin nga vendi i tyre. Vendi i ngjan një torte të shpartalluar, njësoj si torta për 100 vjetorin e Pavarësisë ku u sulën të gjithë me çdo mjet që u gjendej për të marrë një copë prej saj, veçse torta në këtë rast është Shqipëria dhe të babëziturit janë grushti i përhershëm i politikanëve shqiptarë.
Populli? Populli për fatin tonë të keq dhe fatin e mirë të politikanëve e ka pranuar realitetin e dhimbshëm që na takoi të jetonim qysh në fillimet e para të demokracisë, e sot nuk lëviz as gishtin për ta ndryshuar atë por ka zgjedhur ti nënshtrohet.
Emili Bibolli
@NewsIn.Al

