Thursday, May 16, 2024
spot_img
HomeKulture / ArtDISKURS MBI THEMELIMIN DHE MODERNIZIMIN E KORÇËS/ Nga Vangjush Ziko

DISKURS MBI THEMELIMIN DHE MODERNIZIMIN E KORÇËS/ Nga Vangjush Ziko

DISKURS MBI THEMELIMIN DHE MODERNIZIMIN E KORÇËS

Ekzistencën e qytetit të Korçës na e dëshmon për herë të parë dokumenti “Historia dhe gjenealogjia e derës së Muzakajve”, shkruar prej Gjon Muzakës për të bijtë e tij. Në këtë dokument shkruhet se qyteti Korçës ishte në pronësi të themeluesit të dinastisë së muzakajve dhe konkretisht të Andrea Muzakajt me origjinë nga malësia e Oparit të Korçës, që në fund të shekullit të XIII-të.
Një dëshmi tjetër është ajo, që na përmend Arben Gjata në botimin e tij “Mbi themelimin e Korçës”, se në një dokument të zbuluar në arkivat e Stambollit në vitin 1954, ku dëshmohet se qyteti i Korçës ka ekzistuar si një qytet mesjetar shumë kohë përpara pushtimit turk. Në këtë dokument shkruhet: “Vetë qyteti i Korçës, shtëpi 36, vejusha 5, të pamartuar 3, të ardhurat 695 akçe, brenda në kështjellë banojnë të pafetë(të krishterët)”. Në të përmendet se Korça ka qenë qendër peshkopale, se ka ekzistuar dhe një xhami e vogël dhe një hamam para kalasë, ku në vitin 1417 ka qëndruar Sulltan Mehmeti I”.
“Regjistri turk i Korçës i vitit 1431” na dëshmon se qyteti i Korçës përbëhej nga dy pjesë, nga Gjorça(Korça) dhe nga fshati Peshkopi (“ 7 shtëpi’ të ardhura 370 akçe”, që i ndante lumi.
Gjorça ishte në anën e djathtë të rrjedhës së lumit, Peshkopia në anën e majtë të tij.
Gjorça kishte kalanë, pazarin dhe lagjen e jashtme të kalasë, Varoshin.
Peshkopia ishte çiflig i Peshkopit të Gjorçës dhe pjesa tjetër pronë e kadiut.
Panorama e përgjithshme demografike dhe kulturore e këtyre dy vendbanimeve nga fundi i shekullit të XV-të, kur Peshkopia, me vendim të Sulltanit të vitit 1484 kaloi në pronësi të Iljaz Koxha Mirahorit, ka qenë si më poshtë.
Gjorça, përveç disdarit (komandantit të kalasë), subashit e mbledhësit të taksave të pazarit, ushtarakëve e banorëve kishte dhimogjerondinë (pleqësinë) të miratuar sipas ligjeve të shpallura nga sulltan Sulejman Elkanuni.
Peshkopia administrohej nga mytevelinjtë (bashkiakët) dhe administratorët perandorakë.
Strukturat social-kulturore të Gjorçës dhe të Peshkopisë ishin mjaft e ndryshme.
Gjorça, kryesisht, banohej nga familje të krishtera ortodokse.
Peshkopija banohej prej familjesh të krishtera dhe muslimane.
Strukturat social-kulturore të Gjorçës dhe të Peshkopisë ishin mjaft të ndryshme.
Në Gjorçë, përveç veprimtarisë komunitare të esnafëve, ishte krijuar “Llasoja” (arka e përbashkët e komunitetit ortodoks) fondet e së cilës përdoreshin për hapjen dhe mbarëvajtjen e shkollave ose për mirëmbajtjen e rrugëve dhe për ndihma sociale. Kishte shkollë pa pagesë për djemtë nga ana e esnafëve; gjithashtu, funksiononin disa shkolla: dy shkolla qytetëse , dy foshnjore, që mbaheshin nga fondet e komunitetit ortodoks dhe një gjimnaz i ngritur nga patrioti mirëbërës Jovan Banka.
Në Peshkopi, Iljaz Bej Mirahori ndërtoi Xhaminë e madhe mbi themelet e kishës së Shën e Premtes dhe një imaret me të gjitha lokalet e nevojshme si kuzhinë, depo, furrë, të cilat nga fundi i jetës i ktheu në vakëfe.
Në Peshkopi funksiononin disa shkolla: rushdia (foshnjore), iptidaje (fillore) dhe idadia (gjimnazi), që mbaheshin me fondet e qeverisë turke dhe me të ardhurat nga imareti i lënë trashëgim nga Iljaz Bej Mirahori.
Në shkollat e Gjorçës përdorej gjuha greke.
Në shkollat e Peshkëpisë përdorej gjuha turke,
Qeveria turke nuk e lejonte përdorimin e gjuhës shqipe,
Kjo panoramë e dyzuar kulturore dhe shpirtërore ishte prezente në të dy anët e lumit për disa shekuj. Nga njëra anë xhamia, nga ana tjetër kisha. Dy botëkuptime shpirtërore. Dy kultura të ndryshme, dy modele jetese, kulture dhe mentalitetesh, Gjorça oksidentale dhe Peshkëpia orientale. Megjithëse në të dy anët jetonin njerëz të të njëjtit gjak, të së njëjtës etnie, shqiptarë.
Nga dokumentat historike dëshmohet se Iljaz Koxha Mirahori e ka gjetur Korçën. Korça ishte ngritur dhe ekzistonte që përpara pushtimit osman, që nga shekulli XIII-të.
Këtë e ka pohuar dhe studjuesi korçar, Ilo Mitkë Qafëzezi, i cili, duke iu referuar Kodikut të Muzakajve, thotë se “bije gojdhëna historike e stërnipërve të Koxha Mirahorit dhe shkruesve të mëparshëm” ( mbi themelimin e Korçës, v.z.), të cilët nuk e njihnin këtë kodik (e ka fjalën për plejadën e shkruesve si Panajot Aravantinoi, H. Karmici, Ilia Dasaretasi, Nuçi Naçi).
Iljaz Koxha Mirahori është, patjetër, një figurë historike për qytetin e Korçës, sepse ai, me fuqinë e postit të tij, si gjeneral i kavalerisë osmane i dalë në pension, diti ta përdorë pushtetin, jo vetëm në pronën e tij, Peshkopinë, por edhe në pjesën tjetër matanë lumit.
Pirro Thomo në librin “Korça, urbanistika dhe arqitektura” citon pjesë nga dokumenti i përkthyer nga turqishtja nga Selami Pulaha, citon: “Qysh se qe pushtuar Korça, pazari ka qenë pranë kalasë. Mirpo Koxha Mirahori prishi pazarin dhe e shpërnguli në fshatin që qe pronë e tij (Peshkopi)”, që të rriste të ardhurat e Vakëfit.
Eshtë e çuditshme që ka sot shkrues apo krijues kronikash televizive, që nuk i paskan lexuar ende këto dokumente historike mbi Korçën. Edhe vetë patrioti Nuçi Naçi, që nuk kish si t’i lexonte këto fakte ende të pazbuluara, nuk thotë se Korçën e themeloi Iljaz bej Mirahori, ai i njeh vetëm kontributin në “të madhuarit e të zbukuruarit” të Korçës”, duke shtuar se për këtë “ndihmuan shumë të gjithë korçarët me tregtitë e begatitë e tyre”. Unë do të nënvizoja rolin e madh të tregtarve voskopojarë të shpërngulur në Korçë, pas prishjes së Voskopojës, të cilët sollën përvojën e çmuar që ata kishin nga tregtia e tyre me botën perëndimore.
Iljaz bej Mirahori, megjithatë, nuk arriti të krijojë një administrim dhe qeverisje të të dy pjesëve, nuk e zhduku diferencimin kulturor dhe botëkuptimor midis tyre, nuk krijoi unitetin shoqëror kolektiv qytetar të qytetit të Korçës.
Iljaz bej Mirahori vdiq në moshë e pleqërisë në dhjetvjeçarin e parë të shekullit të XVI -të, më 1505 (shkruan Sami Frashëri). Domethënë, ai qeverisi rreth dy dhjetëvjeçarë, pasi qe bërë zot i Peshkopisë.
Kur flasim për shndërrimin e Korçës në qytet modern, sigurisht, nuk mund të bëhet fjalë për sa kohë Peshkopia dhe Gjorça ishin të ndara, jo vetëm nga lumi, por dhe nga “muri i dy mendësive të ndryshme”, nga njëra anë kultura osmane dhe nga ana tjetër kultura evropiane. Kodiku i Korçës na dëshmon se Gjorça dhe Peshkopia u bashkuan vetëm në fillim të shekullit të XVII-të, domethënë, gati një shekull e ca pas vdekjes së Iljas bej Mirahorit.
Vizionin modern të gjithanshëm, unitetin qytetar dhe patriotik të banorëve të Korçës, e solli periudha e ndritur e Rilindjes sonë Kombëtare. mesi i shekullit XIX, me “Enqiklikën” dhe “Evëtarin” e Naum Veqilharxhit, me Lidhjen e Prizrenit, me Shkollën e Parë Shqipe, me Çetat e para Patriotike dhe me kurorëzimin e Pavarësisë Kombëtare më 1912.
Akademiku Rexhep Qosja, në veprën e tij studimore “Porosia e Madhe” shkruan për këtë periudhë: “Ashtu siç ishte letërsia fetare letërsi qendrore për shtresën e klerit katolik dhe ortodoks, ashtu sikurse ishte letërsia popullore letërsi shqiptare, ashtu ishte dhe letërsia e bejtexhinjve dhe e autorëve të tjerë, që shkruanin me alfabet arab, letërsi qendrore për shtresën qytetare myslimane.”
Uniteti patriotik i korçarëve u ngrit vetëm mbi bazën e asaj që Rexhep Qosja e quan “letërsi qëndrore për popullin shqiptar”. Ky unitet u mbështet dhe u mëkua nga letërsia e Rilindasve tanë të mëdhenj. Në këtë modernizim ndihmoi edhe shkollimi i korçarëve në vendet e Ballkanit, më të përparuara nga ne, si dhe në Evropë; atë e sollën kurbetllinjtë korçarë, sidomos të rinjtë, që ranë në kontakt me kulturën e këtyre vendeve. Modernizimi në gjithçka dhe në të gjitha drejtimet krijoi atë që quhet kulturë dhe mentalitet qytetar në fushat shpirtërore, në jetën familjare dhe në atë publike, në veshje e në sjellen qytetare, në rendin administrativ dhe ekonomik, në aktivitetet kulturore dhe artistike, në festimin e karnavaleve, në “sullacat”, shëtitjet pasditeve në bulevard, serenatat korçare, qendrat kulturore si Palestra, kinematë, Majestiku i famshëm, si qendër multikulturore dhe gjithçka e re në ndërtimin urban të Korçës, rrugët me kalldrëm dhe bulevardet e gjera, ajo mënyrë e re jetese që e përqafoi i gjithë qyteti nga të dy anët e lumit dhe jo vetëm grupe dhe shtresa të caktuara shoqërore.
Një dëshmi të bukur të këtij modernizimi na ka lënë Dom Lazër Shantoja në vitin 1941:
““Korça ishte qytet ! Tekembramja nji qytet në Shqipnì! Shetitore të gjana, rruga e rrugica të drejta, shtëpija të bukura si vila, pomendore e lulishta. Nji pastërti të paknd-shoqen në tanë Shqipnìn… Kam bâmun disa vizita në Korçë. Ndër shtëpija kristjane e myslimane. Kam kaluemun aty disa orë të paharrueshme. Pritje e përzemërt, e qeshun, bisedime t’interesantshme, atmosferë elegance e qytetnimi. Djelm të rì qi kanë frekuentue universitete, zonjusha qi kanë krye konservatoriume të flasin mbi çashtjet mâ djegse të ditës, mbi problemet mâ t’interesantshme të jetës…”&j&
Konceptin filozofik mbi modernizimin në përgjithësi, e solli sistemi borgjez kapitalist, i cili, që në çerekun e parë të shekullit XX, në kohën e mbretërisë, shënoi hapat e sigurta të qytetit, që e bënë Korçën, sipas gazetarit Montaneli, qytetin më lindor, por edhe më perëndimorin e Shqipërisë.

Nga Vangjush Ziko

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments