Monday, May 20, 2024
spot_img
HomeKulture / ArtGaqo Jorganxhi Artist i Merituar (Korçë 15/03/1902- 11/11/1985)

Gaqo Jorganxhi Artist i Merituar (Korçë 15/03/1902- 11/11/1985)

Gaqo Jorganxhi
Artist i Merituar (Korçë 15/03/1902-Korçë 11/11/1985)
Baritoni Gaqo Jorganxhi që në moshë të re ka erdhur në kontakt me skenën dhe muzikën. Në moshë të vogël njohu në Korçë një ish “tenente” italian që ishte profesor muzike dhe mësoi prej tij këngë dhe operat e kompozitorëve italianë.
Ende djalë i ri kishte filluar të këndonte në kishën e madhe “Burimi Jetëdhënës” pranë mitropolisë Korçë ku dirigjent ishte Spiro Konda. Që nga adoleshenca e tij ai mori kitarën dhe së bashku me moshatarët e shquar të qytetit ishin ndër themeluesit e asaj që sot quajmë serenata korçare (serenatat e gjeneratës së parë).
Gjatë vitit 1922 jep koncerte tek “Leku i nxënësit” dhe në “Kazino” si anëtar i Shoqërisë së Arteve të bukura ku u aktivizua fillimisht si korist dhe më vonë si aktor në dramën “Vdekja e Piros” së Mihal Gramenos. Në koncertet që jepte kjo shoqëri nuk mund të lihet mënjanë aktiviteti i përhershëm i bandës muzikore “Vatra” ku Gaqoja luante fagot. Viti 1924 e gjen anëtar tek shoqëria “Djelmuria korçare” pranë kopozitorit Thoma Nasi, duke interpretuar arie nga opera si “Ermani” “Luçia e Lamermurit” etj.
Viti 1928 e gjen si solist kryesor në Shoqërinë “Lyra” ku shkëlqeu duke kënduar këngë popullore, patriotike, klasike dhe qytetare.
Në vitin 1931 krijohet Sport Klub “Skënderbeu” ku Gaqoja do kompozojë hitet e pavdekshme
Në vitin 1939 shpërthen në Korçë demonstrata e bukës ku disa këngë të kompozuara prej Gaqos buçitën fuqishëm. Në majin e vitin 1941 arrestohet nga autoritetet italiane pasi nisi të këndojë këngë patriotike me zë para zyrtarëve fashistë. Më 4 Korrik 1944 arrestohet sërisht në shtëpinë e tuj nga autoritetet naziste dhe mbahet në burg me ankthin e vdekjes.
Më 24 tetor 1944 kur u Çlirua Korça, Gaqoja mblodhi dhe përgatiti korrin e qytetit për ti kënduar Lirisë. Me temën e luftës Nacionalçlirimtare do krijojë këngë të tjera si psh Kënga për Çlirimin e Korçës e kënduar nga kori i rinisë antifashiste nën drejtimin e tij.
Vitet e para të Çlirimit vazhdon si pjesëtar kryesor i shoqërisë Lira nën drejtimin e Mihal Cikos dhe si solist i Shtëpisë të Kulturës Korçë. Njëkohësisht fillon dhe si solist i Radio Korçës në Anketat e drejtëpërdrejta. Është konsideruar si një nga “Apostujt e këngës” pasi ka qënë një nga 12 anëtarët që riformuan grupin Lira gjatë viteve 1956/57. Vite më vonë ai bëhet dirigjent i korit duke filluar të zgjerojë aktivitetin artistik tej qytetit të Korçës dhe Shqipërisë më dhjetëra turne artistike.
Gjatë viteve që do qëndrojë në Korçë do aktivizohet herë si dirigjent, herë si solisti bas kryesor i qytetit dhe herë si kompozitor. Ka shkëlqyer me krijimtarinë e tij me këngë për pionërë, këngë për këngëtare profesionistë dhe amatorë dhe herë si figura kryesore e aktiviteve pranë pallatit të Kulturës Korçë dhe pranë Radio Korçës.


Një stacion i rëndësishim i karierës së tij të përkryer është pjesëmarrja në operetën e Parë Shqiptare “Agimi” të Kristo Konos me libretë të Kolë Jakovës, pranë Pallatit ttë Kulturës Korçë për 10 vjetorin e Çlirimit sëbashku me Piro Suliotin, Lefkothe Kanen, Marika Balashin etj. Mes këngësh të tjera, një nga këngët karakteristike që deri më sot konsiderohet si stacion për udhëtimin e tij muzikor është kënga “Shpatari i Skënderbeut” të cilën nuk e ka risjellë askush deri më sot si Gaqo Jorganxhi.
Gjtihashtu, ka inçizuar për herë të parë disa këngë legjendare patriotike korçare sëbashku me Tole Adhamin si “Ardhi Koha”, “Vallja e vëllazërisë”, “Përpara zogu i detit”, “Lamtumirë o e dashura e mjerrë”, “këngën e mullirit” etj.
Ka kompozuar hite të njohura si “Vajzë pse rri helmuar”, “O vëllëzer Shqipëtarë” “sytë e tu bukur kulluar”, “kënga e sindikatave”, “kënga e minatorëve” “kultura fizike”, “ardha të t’ bashkoj” etj.
Është babai i poeteshës kombëtare Zhuliana Jorganxhi, i Dirigjentes së parë Shqiptare dhe mezzo-sopranos Rozmari Jorganxhi dhe i Dirigjentit Rikard Jorganxhi. Gjithashtu është edhe gjysh i kantautorit të mirënjohur Gjergj Leka, Këngëtarit lirik Hektor Leka dhe i kompozitorit Lambert Jorganxhi.

#A.I.Sulioti

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments