Thursday, May 16, 2024
spot_img
HomeKulture / ArtPandi 'Gjiza' një personazh i paharruar për gjithë korçarët! Korça dhe...

Pandi ‘Gjiza’ një personazh i paharruar për gjithë korçarët! Korça dhe Skënderbeu ishin jeta e tij/ Agim Xhafka

PANDI GJIZA

Ky status u nxit nga kjo pikturë e Roland Karanxhës,piktorit nga më të talentuarit e qytetit tim. Siç e kujtoj për skenografitë e famshme të shumë shfaqjeve të aktorëve profesionistë në Teatrin “Andon Zako Çajupi”. Sa pashë këtë realizim me erdhi ndër sy çdo mbresë e atyre viteve të hershme.
Korça dallohet për përdorimin e llagapëve. Nuk gjen një njeri të vetëm pa një të tillë. Dëgjon p.sh. si u gdhive o But, si je o Okllai, hë Mastrapankë çfarë po bën, ik tutje Gogozhare… Për të vazhduar me sharje tipike si kokë damberdilë, zarbë, teneqe e shpuar, farashuk, akoma në kolopoçka je… Gjuha e zonës mbushur me ngjyra e plot nënshtresa kuptimore. Që shkojnë deri në përqeshje, por asnjëherë në fyerje.
Një emërtim tjetër kanë pasur njerëz realë, por që shfaqnin simptoma të sëmundjeve mendore. Këtyre u vendosnin nofka edhe qesharake, për të zbutur simptomat tek ta. P.sh. Pandi Gjiza, Peci Bajamka, Stavri Maçoku, Pandi Këndeska, Taqo Babuci, Maqo Pehlivani e plot të tjerë që dihej se si kudo do të gjendeshin edhe në mes gjithë asaj popullsie.
Ndër këta, mua më ka rastisur që më shumë të njihja Pandi Gjizën, ngaqë shtëpinë e kam pasur afër stadiumit dhe ai ka qenë tifoz i zjarrtë i “Skënderbeut”. Nuk gjej asnjë lidhje mes tij me fjalën gjiza. Iu ngjit si p.sh. Stavrit maçok nga mbrapa. Këto emërtime i lëshonte dikush e në pëlqeheshin të ngjiteshin që asnjë vendim gjykate nuk ta ndërronte më.
Pandi Gjiza, kur e kam njohur unë ka qënë ndoshta 40 vjeç a më pak. Më dukej kaq se vetë isha ende pa shkuar në shkollë. Kishte një trup mesatar, i imët, ecte si duke kërcyer, kthente kokën majtas e djathtas se i flisnin të gjithë dhe zërin të çjerrë, si të gërvishtur me xham. Përherë ishte i kuq flakë në fytyrë, ngaqë në çdo lokal e ftonin, i jepnin nga një teke e ndonjë kërnackë e ai teke pas tekeje rrinte si gjysëm xurxull në rrugë. Nuk e di ku e kishte shtëpinë, por di që korçarët e donin. Nuk e fyenin, nuk e perçmonin, e qerasnin dhe i rrihnin shpatullat me mirësjellje. Në stadium ai hynte deri tek fusha e rrinte perherë prapa portës së kundërshtarit. Se donte të ishte sa më pranë golit. E kur ai bëhej Pandi hiqte bluzën, e vërviste nga gëzimi e bënte xhiro rreth stadiumit sikur ishte ai shënuesi. Njerëzit i argëtonte e në kor shpërthenin Pandi, Pandi. I shkëlqenin sytë dhe dukej që larg që ishte i lumtur, shumë i lumtur.
Kështu mbaj mend edhe trajtimin e Peçi Bajamkës. Një tip tjetër që kishte mangësi të dukshme, por edhe hobi të tjera. Ai mbante një foto të Xhina Lolobrixhidës e i ishte ngulur në tru se në një botë tjetër e kishte pasur dashnore. Dhe ua tregonte e ritregonte korçarëve. Të gjithë e dëgjonin dhe bënin të habiturin. Peçi gjendej në qiell të shtatë në ato çaste.
Korçarët e mi përherë kanë treguar respekt për njerëzit me defekte. Se ishin të bindur që faji nuk ishte i tyre, gabimi ishte diku tjetër. Dhe pa hyrë në analiza ata i donin dhe i mbanin pranë këta qytetarë me shenja të dukshme anormaliteti. Siç mbajmë në bufe një relike porcelani, që na është thyer anash, por rri bukur me filxhanët e kafes dhe gotat e verës. Apo si gota e ujit që ka një cifël se e kemi përplasur tek kana, por e mbajmë se pimë nga krahu tjetër.
Qyteti me këta tipa merrte më shumë dritë e ngjyra. I thyhej monotonia e kthehej në një kaleidoskop që nxjerr veç pamje mahnitëse.
Pandi Gjiza tashmë fle tek varrezat e qytetit. Bashkë me të ngjashmit e vet. Qyteti ka të tjerë si ata. Por kam siguri absolute se tek vendvarrimi i tyre sot nuk mungojnë lulet. Siç u dhuroheshin kërnackat në të gjallë. Se historia e qytetit tim lodron mes njerëzve normalë dhe jo normalë, si ylberi që krijohet nga të gjitha ngjyrat.
Eh,sa herë më vjen ndër mend edhe kur jam në Amerikë,o njeri i mirë! Sa shpejt e sa bukur që Rolandi na e solli të gjallë. Ashtu të vuajtur,të dashur,të pafajshëm dhe shumë të lumtur kur nga bashkëqytetarët merrte përshëndetje apo ndonjë rrahje shpatullash që e çonin atë në qiellin e shtatë. Fat që e patëm,fat që jetoi mes korçarëve që e deshën.

Agim Xhafka_ NË Korçën tonë

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments