Thursday, May 16, 2024
spot_img
HomeKulture / ArtAgim Xhafka, tregimi i së dielës: "BABAI KA NJË MOTËR APO KA...

Agim Xhafka, tregimi i së dielës: “BABAI KA NJË MOTËR APO KA TRE MOTRA”?

BABAI KA NJË MOTËR APO KA TRE MOTRA?

Sa herë ndodhem në Korçë mëngjesi më gjen te Parku Rinia. Nga që për atje ecin vetë këmbët pa më kërkuar fare lejë. Por dhe se për tek Parku vrapojnë të gjithë ata që janë vendalinj. Dmth pa mburrje,ata që janë korçarë. Kështu veprova dhe para një jave. Vesha tutat,mbatha atletet,kapelen në kokë e vrap. Shihja rrugës të njohur e të panjohur,i përshëndesja të gjithë. Nga që nostalgjia të bën euforik,sikur ke rrëkëllyer dy dopjo raki mani që pa gdhirë. Sa u ktheva në shtëpi,normal që do ia shprehja gruas ngazëllimin. I fola për ajrin e pastër,për mjedisin pa zhurma,për bukurinë e parkut,për kishën aq hijerëndë. Ajo veç tundte kokën. Folë,nxirre mallin tënd o korçar llafazan,sikur po e mendonte. Deri sa u kujtova që nuk i kisha thënë kryesoren:
-Ej,u befasova sot,takova aty dhe dy motrat e mija;Gjetën dhe Bebin,-i thashë.
U kthye vrik,më pa me çudi. E mora sikur,vazhdo po më thosh.
-Kisha vite e vite pa i parë. Po hiç nuk i kishte mposhtur mosha. Ashtu të mençura,të shkathëta,të bukura si atëhere. E kujtuam …
Nuk vazhdova dot se ajo mori fshesën me korrent,e ndezi dhe hyri te dhoma e gjumit. Kuptova që ky muhabet nuk i interesonte. Bëra një kafe nespreso te aparati në kuzhinë e dola në ballkon. Pak fresk,por dielli më donte. Më ngrohu e më solli gëzim. Kështu po e gjerbja “drogën” time kur nga brenda më erdhën fjalët:
-Ka lajthitur komplet yt atë.(Fliste gruaja në telefon me vajzën në Tiranë). E di ç’bëri sot,moj? Tha që na paskej takuar andej nga parku dy motrat e tij. Gjeta e Bebi quheshin. Ai një motër ka,tani na u bë me tre,prit kur pas një jave të shtojë dhe nja tre vëllezër.
Nuk doja ta dëgjoja më. U ngrita,mbylla derën e ballkonit. Më mirë të rri rehat me diellin tim,i thashë vetes. Gjithsesi nuk më hiqej nga mendja fraza,ka lajthitur yt atë. Doja të merrja në celular vajzën e ta sqaroja se isha normal,i palajthitur apo i rrëshqitur. Pastaj më hypte inati dhe doja ta hapja ballkonin e ta sqaroja gruan për motrat. T’i bërtisja madje. Por hoqa dorë. Më mirë të mendonin që kisha hyrë në moshën e ngatërresave dhe haresave. Se unë…Arsyetimin ma la në mes zilja e telefonit. Po më merrte vajza.
-Si ia kalove në mëngjes nga parku? Kë takove?
Sa mirë që hyri në rol e në temë shpejt e shpejt,mendova.
-Mirë,takova dhe dy motrat e mija.
-Gjetën dhe Bebin?-bëri pyetjen tallëse ajo.
-Hë,hë,-pohova.
-Po ti sikur ke veç një motër,o ba? Si u bëre me tre?
-Tamam-tamam unë kam dhjetë motra e nja njëzet vëllezër,-vazhdova.
-Si?! Çfarë?! -u alarmua ajo.
Nga zëri kuptova po mendonte që unë e kisha kapur ndonjë sëmundje mendore. Por ia hoqa alarmin.
-Gjeta dhe Bebi janë shoqet e mija te pallati ku kam lindur në Korçë. Ato nuk janë motrat,por ja që ashtu i kam pasur. Si motra. Dhe ato mua si vëlla. Se nuk kishte festë te çdo familje në se nuk merrnin pjesë gjithë familjet e pallatit. Gjeta dhe Bebi e plot të tjerë gëzoheshin për mua jo veç kur merrja fletë-lavdërimi në shkollë,por edhe kur u u shërova nga shytat. Kur merrja pjesë në shfaqjet artistike ato rrinin te rradha e parë e duart i bënin gjak nga duartrokitjet. Kur shkova student ato qanin te autobuzi e më përcollën me lotë gëzimi. Dhe kur botova vëllimin e parë erdhën deri në Tiranë me libër në dorë veç që t’ua nënshkruaja autografin. Dhe tani po të më pyesësh unë e di se kur kanë ditëlindjen ato,di shkollën që kanë bërë,ua njoh deri gjyshet,nipat e mbesat. Mbaj mend dhe cilën gjellë gatuanin më mirë,apo stilin e çentrove që bënin me grep. Por dhe motrat e mija përherë sa i takoj më pyesin për ty,dinë sa fëmijë ke,dinë dhe ku punon. Ato më përqafuan në mëngjes kaq me ngrohtësi sa m’u duk sikur të tre bashkë na përfshiu dielli,m’u duk sikur po jetoja në ato mote kur familja ime nuk qe vetëm ajo që hyja brenda e mbyllja derën. Por qe e madhe,ah sa e madhe qe! Me shumë zemra,me aq e aq shpatulla e mbushur me dashuri të mëdha. Familje me plot motra e me plot vëllezër. Vërtet lindur jo nga një nënë,por nga nëna dhe baballarë të ndryshëm. Ama të gjithë si ADN kishim harmoninë,kishim ndihmën,kishim mirënjohjen,fisnikërinë dhe falenderimin që rastësia apo zoti na bëri bashkë me njerëz të mirë,dinjitozë e zemërmëdhenj.
Vajza matanë s’po fliste. Frymëmarrjen e kishte pak të shpeshtë. U mallëngjye,mendova.
-Ba,më fal.
Heshta dhe unë.
-Ba,përqafoje Gjetën dhe Bebin prej meje sapo t’i shohësh.-shtoi.
Nuk fola. Ajo me fëmijët do vinte në Korçë pas dy javësh. E mira do qe që t’i takonte vetë këto motrat e babait. Apo këto dy “hallat” e saj,siç quhen në gjuhën popullore…

Agim Xhafka

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments